Kurti: Ilir Konushevci, emër i artë në historinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe tek varret e heronjve Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Mala, në përvjetorin e rënies së tyre.

I pari i ekzekutivit e vlerësoi lart figurën e Ilir Konushevcit, teksa theksoi se ai është emër i artë në historinë moderne të Kosovës.

“Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për strategji e për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fortë të veçantë, të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e popullit. Në mesin e tyre, ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci-Mërgimi, i cili kishte një barrë të dyfishtë. Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të UÇK-së, i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, ndërkaq në anën tjetër duhej që pa numër herë, sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sjellte armatim nga Shqipëria në Kosovë”, tha kryeministri Kurti pas homazheve.

Tutje Kurti theksoi se pushkët e lirisë që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit.

“Andaj kontributi i tij është i paçmueshëm, sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës, e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull. Lavdi Ilir Konushevcit, dr Hazir Malës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka theksuar Kurti.

Ndërkaq në emër të presidentes Vjosa Osmani, homazhe bëri këshilltari ushtarak, gjeneral Sefer Isufi. “Vlerat e ushtarakut që barte personaliteti i jashtëzakonshëm i heroit Ilir Konushevci janë vlera të cilat i bartin me krenari të gjithë ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë udhërrefyes se si sakrifikohet dhe flijohet për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e mirëqenien e kombit. Andaj në emër të presidentes Osmani edhe një herë lutemi që nderimi, përkujtimi dhe krenria për heroin Ilir Konushevci të jetojë për jetë”, tha gjeneral Isufi.

Go to TOP