Bernard Karrica ‘Ylli i Javës’

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.

Ky çmim për javën e 35-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të KF Ballkanit, Bernard Karrica.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Lulzim Berisha, Avni Shala dhe Enes Shosholli.

Ky komision ka vendosur që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e 35-të t’i jepet Bernard Karricës, i cili me golin që shënoi në këtë ndeshje ia dhuroi fitoren Ballkanit dhe njëherësh ky gol ia siguroi titullin e kampionit të tretë radhazi skuadrës nga Suhareka, një javë para përmbylljes së edicionit.

Pasi mori këtë çmim, Bernardi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës dhe që skuadra e tij e arriti objektivin e parë të këtij edicioni.

“Ndeshja e djeshme ishte kritike për kampionatin tonë, duke pasur parasysh që ishte vendimtare. Jam shumë i lumtur që me golin që shënova arritëm të fitojmë dhe të shpallemi kampionë. Ky është sukses i gjithë ekipit”, tha Bernard Karrica për faqen zyrtare të FFK-së.

Go to TOP