Vitin e kaluar u rrëmbye e u rrah, vritet reperi i njohur 19 vjeç në Suedi

Einar, njëri ndër reperët më të popullarizuar në Suedi, është qëlluar për vdekje në natën e së enjtes në Stokholm, duke nxitur reagime të shumta rreth dhunës së shkaktuar nga bandat viteve të fundit në shtetin skandinav.

Reperi 19-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Nils Gronberg, u vra në periferi të Stokholmit dhe policia nuk ka arrestuar ndonjë person deri më tani, shkruan Reuters.

Në një incident tjetër vitin e kaluar, ky reper ishte rrëmbyer dhe sulmuar nga reperët rivalë.

“Një jetë e re është shuar dhe unë e kuptoj se ai ka pasur shumë peshë për shumë të rinj. Është tragjike”, tha Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven.

Gronberg, i cili debutoi në muzikë në moshën 16-vjeçare, ka publikuar katër albume dhe ka fituar shtatë çmime Grammy Suedez dhe shpërblime tjera.

Vitin e kaluar, ai ishte rrëmbyer dhe rrahur nga reperët rivalë që kishin lidhje me një bandë kriminelësh të Stokholmit. Disa persona, përfshirë një reper, janë dënuar me burgim për këtë rast.

Go to TOP