Xavi mbetet te Barcelona: Në tre muajt e fundit gjithçka ndryshoi

Barcelona do të drejtohet nga Xavi edhe për sezonin 2024-2025.

Ka qenë vetë trajneri i Barcelonës që e ka konfirmuar vazhdimin e qëndrimit në krye të skuadrës me nam.

I ulur përkrah presidentit të klubit Joan Laporta dhe drejtorit sportiv Deco, të enjten në një konferencë për shtyp, Xavi ka thënë se kishte parë një përmirësim të madh në performancën dhe moralin e ekipit gjatë dy muajve të fundit, ndryshe nga muaji janar, ku kishte deklamuar se nga sezoni i tjetër Barcelonës i duhej një trajner tjetër.

“Nuk ka qenë një vendim i thjeshtë apo i lehtë. Në janar, mendova se ishte gjëja më e mirë për klubin, por rrethanat kanë ndryshuar dhe, tani, mendoj se vazhdimësia është gjëja më e mirë. Nga tre muaj më parë e deri më tani gjithçka ka ndryshuar”, ka thënë Xavi.

Për situatën e re ka folur edhe Laporta.

“Ne e dimë që ai ka bërë disa deklarata në mes të sezonit, por sot kemi lajmin e mirë se ai po qëndron dhe ai më ka përcjellë entuziazmin dhe besimin që ka në projekt”, ka thënë ai.

Xavi ka luajtur për Barcelonën për shtatëmbëdhjetë vjet, duke bërë 767 paraqitje dhe duke fituar njëzet e pesë trofe, duke përfshirë katër tituj të Champions League dhe tetë të La Ligës.

Go to TOP