Princesha e Uellsit, njofton se është me kancer

Princesha e Uellsit thotë se është në fazat e hershme të trajtimit pasi kanceri u zbulua në teste.

Në një deklaratë video, Catherine thotë se ishte një “shok i madh” pas një “dy muajsh tepër të vështirë”. Por ajo dërgoi një mesazh pozitiv, duke thënë: “Jam mirë dhe po forcohem çdo ditë e më shumë”.

Detajet e kancerit nuk janë bërë të ditura, por Kensington Palace thotë se ka besim se princesha do të shërohet plotësisht.

Deklarata e princeshës shpjegon se kur ajo bëri një operacion abdominal në janar, nuk dihej që kishte kancer. “Sidoqoftë, testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Prandaj ekipi im mjekësor më këshilloi që duhet t’i nënshtrohej një kursi kimioterapie parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të atij trajtimi,” tha princesha.

Trajtimi me kimioterapi filloi në fund të shkurtit. Pallati thotë se nuk do të ndajë asnjë informacion të mëtejshëm mjekësor privat, përfshirë llojin e kancerit.

Princesha, 42 vjeç, tha se po mendonte për të gjithë ata që janë prekur nga kanceri, duke shtuar: “Për të gjithë ata që përballen me këtë sëmundje, në çfarëdo forme, ju lutemi mos e humbni besimin apo shpresën. Ju nuk jeni vetëm”.

Catherine tha se rikuperimi nga operacioni i saj në janar, për një gjendje që nuk është zbuluar, kishte marrë kohë dhe prioriteti tani ishte të qetësonte familjen e saj.

“William dhe unë kemi bërë gjithçka që mundemi për ta përpunuar dhe menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re.”

Princesha shtoi: “Na ka marrë kohë për t’i shpjeguar gjithçka George, Charlotte dhe Louis në një mënyrë që është e përshtatshme për ta, dhe për t’i siguruar ata se do të jem mirë”, tha ajo.

Sipas saj, familja tani ka nevojë për “disa kohë, hapësirë dhe privatësi”.

Mbreti dhe Mbretëresha ishin informuar për lajmet në lidhje me shëndetin e princeshës përpara njoftimit të së premtes – dhe vetë mbreti Charles ka qenë gjithashtu duke iu nënshtruar trajtimit për kancer.

Go to TOP