Kosova

Shteti ua asgjëson pulat disa fermerëve kosovarë – thonë se do të kompensohen

Në 37 ferma deri më tani janë asgjësuar me mijëra shpezë. Kjo për shkak të përhapjes së virusit H5N8 në Kosovë. Edhe fermerët janë dëmtuar financiarisht nga asgjësimi i shpezëve të infektuar nga AVUK. Këta të fundit thanë se me udhëzim administrativ është e rregulluar që të ndodh kompensimi për fermerët e dëmtuar

Fahri Bicit, fermer nga fshati Koliq i Prishtinës të premten e javës së kaluar i janë asgjësuar 711 copë zogj e pula. Kjo pasi, ato rezultuan pozitiv me virusin H5N8, nga analizat e bëra në Agjencinë e Ushqimit e Veterinarisë.

Por, për Fahriun dëmi ishte edhe më i madh. Para asgjësimit atij i ngordhën edhe rreth 500 copë të tjera shpezë, teksa në total, numri i pulave dhe zogjve të ngordhura në fermën e tij ishte mbi njëmijë.

Në një bisedë për Express, ai tregoi edhe për sëmundjen që e morën pulat e tij, teksa tha se nuk e di se nga virusi arriti edhe tek ferma që ai mirëmban.

“Rreth 400 copë zogj, 70 pula dhe pesë knojsi  më ngordhin çdo ditë për një muaj rresht. Ua kam bërë analizat dhe dolën që janë me virus. Erdhën më pas ekipi dhe i mbytën edhe 711 tjera që kishin mbetur. Virusi nuk e di se nga u erdhi. Deri më tani të gjitha ato më kanë kushtuar rreth 5000 euro dhe nuk e di se a do t’i kompensojë shteti. Mosha e tyre ka qenë rreth gjashtë muajsh”, tha ai.

Asgjësimi i 711 shpezëve në fermën e Fahri Bicit në fshatin Koliq të Prishtinës

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, i kanë thënë Express-it, se kompensimi për këta fermerë do të bëhet.

Zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, ka thënë për Express se me udhëzim administrativ është e paraparë që për shpezët e asgjësuara nga Inspektorati veterinar të kompensohen fermerët.

“Kompensimi i fermerëve për ketë lloje të sëmundjes është i rregulluar me udhëzimin administrativ  Nr.24/2005 Për luftimin e sëmundjes zoonotike të shpezëve. Aty është e përcaktuar qe shpezët e asgjësuara nga Inspektorati veterinar do të kompensohen”, ka thënë ai.

Më tutje Thaçi, konfirmuar se deri më tani nga AVUK janë asgjësuar shpezë në 37 ferma, teksa shtoi se nuk kanë informacione të sakta për numrin e shpezëve të asgjësuara deri më tani.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë qe nga rasti i parë i paraqitjes se dyshimeve për prezencën e gripit të shpezëve në Kosovë. Ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform udhëzimit administrativ për luftimin e kësaj sëmundje. Menjëherë është krijuar shtabi i krizës. Përmes Drejtorisë se Shëndetit dhe Mirëqenies se Kafshëve janë duke u koordinuar aktivitete, ndërsa veprimet operative në teren janë duke u ekzekutuar nga Inspektorët Veterinar të AUV-së. Të gjitha rastet qe lajmërohen jemi duke  i trajtuar shpejt dhe me profesionalizëm. Pop kryhen hulumtimet diagnostike, merren mostrat dhe testohen, fermat qe dalin pozitiv asgjësohen. Deri me tani kemi të prekura vetëm fermat e ekonomive familjare të cilat kanë fond të vogël të shpezëve, e qe gjithsejtë janë të konfirmuara 37 ferma deri ne këto momente. Tek të gjithat janë asgjësuar pulat e ngordhura dhe ato prezentë ne fermë. Numrin e saktë të pulave të asgjësuara deri me tani nuk e kemi. Jemi duke pranuar raportet çdo dit nga tereni”, ka thënë ai për Express.

Të njëjtën përgjigje sikur AVUK e kanë kthyer edhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në një përgjigje me shkrim për Express, nga ministria që udhëhiqet nga Faton Peci, kanë thënë se lidhur me kompensimin e fermerëve për këto ratse vlen përgjigja nga AVUK.

“Pas konsultimeve me Komisionin për vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë, të krijuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm në MBPZhR, ju njoftoj se Ministria e Bujqësisë në buxhetin e saj të ndarë për kompensimin e dëmeve nuk ka paraparë mjete për sëmundjet e kafshëve, konkretisht për rastet të cilat i përmendët ju në shkresën tuaj. Lidhur me këtë, Zyra për Komunikim me Publikun në kuadër të MBPZhR-së ju udhëzon që lidhur me këto pyetje të shfrytëzoni përgjigjien e pranuar nga kolegët tanë në AUV”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Çfarë është gripi H5N8?

Sipas OBSH-së, gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpezëve).

Ky virus është vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët. H5N8 zakonisht nuk infekton  njerëzit; megjithatë, shtatë persona në Rusi u gjetën të infektuar në 2021, ata ishin punëtorët të fermave të pulave të cilët morën pjesë në një operacion reagimi për të parandaluar  një shpërthim të gripit të shpendëve A (H5N8).

Rastet mbetën asimptomatike për tërë kohëzgjatjen e vëzhgimit  (disa javë). Strishot  nazofaringeale vijues u mblodhën gjatë periudhës së vëzhgimit mjekësor dhe u testuan negativisht për gripin e shpendëve A (H5N8). Në ketë rast asnjë manifestim i dukshëm klinik nuk u raportua nga asnjë punëtor i fermës nën mbikëqyrjen mjekësore, anëtarët e familjes së tyre ose kontakte të tjera të ngushta të shtatë rasteve.

Gripi i shpezëve kryesisht përhapet nga kontakti i drejtpërdrejtë midis zogjve të infektuar dhe atyre të shëndosha.

 Gjithashtu mund të transmetohet, kur zogjtë bien në kontakt me pajisje ose materiale (përfshirë ujin dhe ushqimin për kafshë) që janë kontaminuar me jashtëqitje ose sekrecione nga hunda ose goja e zogjve të infektuar.

Njerëzit gjithashtu mund të përhapin sëmundjen indirekt nga ferma në fermë duke mbajtur virusin në veshjet e tyre, çizmet ose përmes rrotave të automjeteve.