Maqedonci në Hungari flet për pandëshkueshmërinë e sulmit në Banjskë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Budapest të Hungarisë.

“Me këtë rast, ministri rikonfirmoi edhe një herë orientimin strategjik të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO dhe kërkoi përkrahjen e vendeve pjesëmarrëse në këtë format, për realizimin e këtyre aspiratave të vendit tonë, për të na mundësuar dhënien e kontributit më të madh për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në adresimin e tij, ministri Maqedonci ritheksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informoi të pranishmit për kontributin e vendit në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tonë.

“Gjithashtu, ministri Maqedonci theksoi faktin që përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë të Zveçanit, vazhdojnë të jenë të lirë dhe të pandëshkuar për aktin e kryer”, vazhdon njoftimi. /Kosova.info/

Go to TOP