Shqipëria ngre alarmin në Parlamentin Evropian: Gloria Hylviu rrëfen sfidat dramatike të përballjes me murtajën e ruminantëve
Në ambientet e Parlamentit Evropian në Bruksel u zhvillua aktiviteti ndërkombëtar “The True Cost of Animal Disease: Animal Welfare, Public Health & Sustainability in the EU”, ku u diskutua ndikimi ekonomik, social dhe shëndetësor i sëmundjeve të kafshëve, si dhe politikat për parandalimin dhe menaxhimin e tyre.
Në këtë forum, Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH) u përfaqësua nga DMV. Gloria Hylviu, përgjegjëse për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, e cila prezantoi përvojën e Shqipërisë në përballimin e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR).
Në fjalën e saj, Hylviu theksoi se, megjithëse Shqipëria është një vend i vogël, struktura e blegtorisë me mijëra ferma të vogla familjare e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë kontrollin e sëmundjes. Ajo shpjegoi se mbi 60 për qind e fermave të deleve dhe dhive kanë nga një deri në 19 krerë duke detyruar veterinerët të kontrollojnë çdo fermë derë më derë.
Sipas saj, përveç sfidave profesionale, veterinerët janë përballur edhe me situata të rënda emocionale, pasi shumë fermerë refuzonin të pranonin asgjësimin e kafshëve, të cilat i konsideronin pjesë të familjes dhe burimin kryesor të jetesës.
“U bëmë psikologë për fermerët. U bëmë vëllezërit, motrat dhe fqinjët e tyre. Kur kishin nevojë, ne ishim aty. Por përsëri, ata nuk na besonin dhe vazhdonin të përpiqeshin të fshihnin kafshët,” deklaroi ajo.
Hylviu bëri të ditur se ndalimi i lëvizjes së kafshëve për disa muaj ndikoi rëndë në tregtinë e brendshme, tregjet lokale dhe besimin mes fermerëve dhe autoriteteve veterinare. Ajo tregoi se gjatë periudhës së shpërthimit të sëmundjes pati edhe raste kur fermerët tentuan të fshehnin kafshët e sëmura apo t’i transportonin ilegalisht, veçanërisht gjatë Festës së Kurban Bajramit.
Ajo shtoi se autoritetet angazhuan Policinë, Ushtrinë dhe strukturat e tjera shtetërore për të kontrolluar lëvizjen e kafshëve, por pavarësisht masave të shtuara, transporti ilegal vazhdoi dhe pas festës u regjistruan raste të reja pozitive.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Hylviu theksoi se lufta kundër PPR-së nuk ka të bëjë vetëm me shëndetin e kafshëve, por edhe me mbrojtjen e familjeve, komuniteteve dhe ekonomisë rurale.
“Pas çdo kafshe të asgjësuar qëndron një fermer, një veteriner dhe një komunitet i tërë që përpiqen të rimëkëmben. Përballimi i kësaj sëmundjeje kërkon përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim dhe besim,” përfundoi ajo.
