Ronaldo dhe Modriq përballë historisë

Cristiano Ronaldo dhe Luka Modriq do të shkruajnë histori të premten, kur Portugalia dhe Kroacia të përballen në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026.

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, dy futbollistë të fushës mbi moshën 40-vjeçare do të jenë kundërshtarë në një ndeshje të fazës me eliminim direkt.

Megjithatë, krahas rekordit, të dy legjendat po përballen edhe me dyshime nëse përvoja e tyre vazhdon të jetë avantazh për kombëtaret respektive apo mosha po ndikon në paraqitjet e tyre.

Ronaldo, 41 vjeç, u bë futbollisti i parë në histori që ka shënuar në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës, pasi realizoi dy gola në fitoren e Portugalisë ndaj Uzbekistanit. Megjithatë, portugezët nuk arritën të fitonin ndaj Kongos dhe Kolumbisë në fazën e grupeve, duke e vështirësuar rrugën drejt finales.

“Kam 23 vjet si futbollist profesionist dhe sa herë gjërat nuk shkojnë mirë, thuhet se Cristiano ka mbaruar dhe është plakur”, deklaroi Ronaldo gjatë turneut.

Pavarësisht kritikave, përzgjedhësi Roberto Martinez vazhdon t’i besojë plotësisht kapitenit portugez.

“Nuk ka asnjë problem fizik apo mendor që Cristiano të luajë 90 minuta”, ka thënë Martinez.

Në anën tjetër, Luka Modriq, 40 vjeç, pati vështirësi në ndeshjen hapëse ndaj Anglisë, ku Kroacia u mposht me rezultat 4:2. Mesfushori kroat shkaktoi një penallti dhe u zëvendësua para përfundimit të një ore lojë.

Megjithatë, Kroacia reagoi me fitore ndaj Panamasë dhe Ganës, ndërsa Modriq festoi paraqitjen e 200-të me fanellën e kombëtares, duke u bërë futbollisti i katërt në histori që arrin këtë shifër, së bashku me Ronaldon.

Fituesi i përballjes mes Portugalisë dhe Kroacisë do të sigurojë një vend në çerekfinale, ku do ta presë Spanja.

Për njërin nga dy futbollistët më të mëdhenj të epokës moderne, kjo ndeshje mund të shënojë fundin e rrugëtimit në Kupën e Botës dhe mbylljen e një kapitulli të jashtëzakonshëm në futbollin ndërkombëtar.


Go to TOP