UGSH dënon sulmet ndaj gazetarëve në protestën në Tiranë: Dhuna ndaj mediave është krim
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së qytetarëve në Tiranë duke dënuar sulmet verbale dhe fizike ndaj gazetarëve, operatorëve dhe punonjësve të mediave.
Në një deklaratë të publikuar këtë të enjte, UGSH i cilëson aktet e dhunës ndaj reporterëve, kamerave, mikrofonëve dhe automjeteve të mediave si veprime kriminale që nuk mund të tolerohen. Organizata u ka bërë thirrje gazetarëve të publikojnë çdo rast agresioni dhe ka kërkuar që autorët të identifikohen dhe të ndiqen penalisht.
UGSH i kërkon Policisë së Shtetit të garantojë sigurinë e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore çdo person që sulmon apo intimidon punonjësit e medias. Po ashtu, organizata shpreh shqetësim edhe për raste kur, sipas saj, punonjës policie kanë akuzuar reporterët se “po punojnë për të huajt”, pavarësisht se ata kanë qenë të identifikuar me dokumente dhe simbole profesionale.
Në fund të reagimit, UGSH thekson se ngjarjet e sotme përbëjnë një rekord alarmant të agresioneve ndaj gazetarëve dhe një goditje serioze për lirinë e medias dhe të drejtën për raportim të lirë në hapësirën publike.
