Kane pas fitores: Këto janë momente heroike

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka vlerësuar karakterin e skuadrës pas fitores 2:1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos, duke theksuar se në ndeshjet me eliminim direkt më e rëndësishmja është kualifikimi.

Autori i dy golave të Anglisë u shpreh se ndeshja kërkoi durim dhe besim deri në minutat e fundit.

“Këto janë momente heroike. Mund të jetë kushdo vendimtar, qoftë portieri me një pritje, një mbrojtës me një ndërhyrje apo një sulmues me një gol. Sot ishte një prej atyre ditëve për mua,” tha Kane për BBC.

Sulmuesi anglez theksoi se goli i barazimit i dha besim skuadrës, ndërsa goli i dytë solli një shpërthim emocionesh pas një ndeshjeje të vështirë.

“Goli i parë na mbajti në lojë, ndërsa i dyti ishte një shpërthim emocionesh pas 80 minutave frustrimi. Në ndeshje të tilla duhet shumë durim,” u shpreh ai.

Kane vlerësoi edhe paraqitjen e skuadrës në aspektin ofensiv, duke e cilësuar atë si më të mirën e Anglisë deri tani në këtë Botëror.

“Nga ana sulmuese, ndoshta kjo ishte ndeshja jonë më e mirë në turne. Ka ende gjëra për t’u përmirësuar, por në fund rëndësi ka vetëm të kalosh në fazën tjetër,” deklaroi kapiteni anglez.

Ai zbuloi gjithashtu se trajneri Thomas Tuchel kishte paralajmëruar skuadrën për vështirësitë e fazës me eliminim direkt.

“Trajneri na tha para ndeshjes se kjo dhe ndeshja e radhës do të ishin shumë të vështira. Tani jemi në fazën ku duhet të fitojmë me çdo kusht dhe ia dolëm,” tha Kane.

Në fund, sulmuesi i Bayern Munichut u bëri thirrje bashkëlojtarëve të shijojnë suksesin, duke vlerësuar edhe ndikimin e futbollistëve që hynë nga banka rezervë.

“U thashë djemve ta shijojnë këtë moment. Ndonjëherë nuk feston sa duhet, por jemi në Kupën e Botës dhe po luftojmë për çdo detaj. Zëvendësimet po na japin energji dhe kjo tregon forcën e grupit,” përfundoi Kane.


Go to TOP