Mbappe i fokusuar te trofeu, jo te dueli me Messin për ‘Këpucën e Artë’
Kylian Mbappe ka deklaruar se objektivi i tij kryesor në Kupën e Botës 2026 është suksesi i Francës dhe jo gara për ‘Këpucën e Artë’, pavarësisht rivalitetit me Lionel Messin në listën e golashënuesve.
Sulmuesi francez realizoi dy gola në fitoren 3:0 ndaj Suedisë në 1/16 e finales, duke arritur në kuotën e gjashtë golave në këtë turne dhe duke iu afruar rekordit të Messit prej 19 golash në historinë e Botërorëve.
Megjithatë, 27-vjeçari theksoi se prioritet mbetet trofeu botëror.
“Qëllimi është të shkojmë sa më larg, të arrijmë finalen më 19 korrik dhe të kthehemi këtu,” u shpreh Mbappe.
“Po përpiqemi të fitojmë, duke marrë çdo ndeshje hap pas hapi. Sa më shumë gola shënon, aq më lart ngjitesh në renditje, por nuk është fokusi im kryesor,” shtoi ai.
Mbappe theksoi gjithashtu se nuk e sheh veten të fiksuar pas statistikave individuale, duke nënvizuar se Argjentina e Messit vazhdon të mbetet një faktor i rëndësishëm në turne.
“Nuk mendoj shumë për këtë. Jam i fokusuar te kundërshtarët dhe te objektivi ynë final,” tha ai.
Franca do të përballet me Paraguain në çerekfinale, ndërsa fituesi i këtij dueli mund të ndeshet me Kanadanë ose Marokun në fazat e ardhshme të turneut.
