Romani ‘’E arratisura’’, apo sprova e një fati njerëzor dhe këmbëngulja për të mos u pajtuar me fatin që ta thurin të tjerët

Shkruan: Arian ALIU

Dinamika e një lëvizshmërie të shumanshme, është ajo të cilën e hasim që në hapje të romanit ‘’ E arratisura’’ të shkrimtarit Muharrem Elezi. Kjo lëvizshmëri e cila jepet nëpërmjet nxënësve e të rinjve në radhë të parë e më pas edhe nëpërmjet punëtorëve e bujqve, është shenja e parë thirrëse e nevojës së ndryshimeve drastike dhe të domosdoshme, të cilat duhet të ndodhin në ambientin në të cilin ndodhin ngjarjet e këtij romani, por tërthorazi nevoja për këto ndryshime kërkohet të shtrihet në një rrafsh më të gjerë horizontal si dhe në thellësitë vertikale të etnisë, që lidhet veçanërisht me zakonet prapanike të lidhjeve martesore. Përderisa ndryshimi i parë, ai i gjerësisë horizontale, nuk e ka një hero kryesor, ngase ai shpërndahet në nivel më të gjerë dhe lidhet me një mori emrash, krejt ndryshe ndodh me ndryshimin vertikal, barra e të cilës i mëveshët një heroine të vetme, e cila ndonëse në moshë të re, ka guximin të shpreh revoltën dhe kundërshtimin e saj dhe të kërkoj më të mirën për vetën në radhë të parë, por më tej të bëhet edhe shembull për të gjitha vajzat, të cilat mund ta kenë fatin e saj.

Fati i kësaj heroine, por nëpërmjet saj edhe fati i femrës në përgjithësi, është pika qendrore e këtij romani. Ky fat, jo i mirë, fillon në një pikë të caktuar, me një personazh të caktuar dhe vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë, por gjithmonë i vënë në një raport përballimi dhe gjithmonë i përcjellë nga heroina kryesore e romanit. Kjo sikur tregon se fati i femrës shqiptare , megjithatë ishte i njëjtë kudo dhe kurdo. Në këtë aspekt vendet ku zhvillohen ngjarjet marrin ngjyrime simbolike të fatit njerëzor. Këto vende ndryshojnë varësisht nga qasja dhe situata në të cilën ndodhen protagonistët, kështu që brenda strukturës së romanit gjejmë vendin e quajtur ‘’ rrafsh’’, emërtim që sugjeron një qasje më të hapur dhe më progresive, dhe emërtimin ‘’ malësi’’ që sugjeron një qasje më të mbyllur dhe më arkaike, por në një vështrim më të thellë analitik, gjejmë edhe qasje të kundërta në raportin vend-mentalitet, sidomos te sjelljet dhe veprimet e disa personazheve të caktuar. Vendet në roman marrin rol simbolik, i cili në radhë të parë sqarohet nëpërmjet emrit si : Rrafsh, Malësi, Bjeshka e Zymtë, Fshati i Pikëlluar, por edhe emërtime më specifike si Dhoma e Kulaqit. Sa i përket kohës së zhvillimit të veprimit, ajo në të shumtën e rasteve përcaktohet nëpërmjet ngjarjeve të caktuara, ndërsa ajo mund të ndahet në: kohë rrjedhëse e cila ecë përpara, kërkon ndryshim e zhvillim, synon hedhjen tutje të prapambeturisë dhe synon avancimin, si dhe në kohë të stagnuar, e cila nuk lëviz, i frikësohet ndryshimeve dhe synon të mbetët po ajo që ka qenë.

Format e kohërave ndikojnë edhe në rolin e personazheve brenda romanit. Personazhet që i takojnë kohës së parë, asaj rrjedhëse, janë kryesisht personazhet e moshave të reja, të cilët synim kryesor e kanë ndryshimin e fatit të tyre jetësor, por edhe fatin e kombit të tyre i cili po kalonte periudha të vështira. Në këtë grup hyjnë edhe disa personazh që ndonëse janë të shtyrë në moshë, megjithatë kanë ide progresiste, kurse kohës së stagnuar i përkasin personazhet që shfrytëzojnë rrethanat për interesat e tyre personale, qofshin këto rrethana të ndikuara nga zakonet prapanike, qofshin duke shfrytëzuar pushtetin. Ndonëse fati i femrës është në qendër të romanit, autori kujdeset që këtë ndarje të personazheve të mos e bëj në aspektin gjinor, ngase në roman gjejmë heronj të të dy gjinive, sikurse hasim edhe në antiheronj të të dy gjinive.

Në roman psikologjia e personazhit femër jepet e detajuar nga autori Muharrem Elezi, përmes heroinës kryesore Dritës. Me mjeshtri të theksuar ai depërton thellë brenda kësaj psikologjie dhe nëpërmjet veprimeve, dialogëve e ideve, shpalos çdo skaj të subjektivitetit të personazhesh, e cila lartësohet si për nga bukuria fizike e po ashtu edhe për nga bukuria shpirtërore. Dilemat para të cilave vendoset ajo, para se të marr një vendim apo para se të kryej një veprim, nuk është se tregojnë një karakter të dobët të saj. Përkundrazi ato tregojnë karakterin e fortë, por për më tepër edhe një pjekuri dhe maturi të theksuar. Në disa raste, autori për të mbajtur të ngritur vëmendjen e lexuesit, por edhe për të ngritur tensionin e situatave, përdorë tekniken e hapjes së një problemi apo vështirësie, ende pa u mbyllur apo pa u zgjidhur plotësisht problemi paraprak. Në një situatë të tillë vihet Drita, kur ende pa e zgjidhur problemin me burrin me të cilin e kishin fejuar, një burrë tjetër shfaq pëlqimin për të. Kjo teknik i jep romanit një shije të veçantë estetike dhe emocionale, por edhe e lidh më tepër lexuesin me personazhin kryesore, veçmas për qëndrueshmërinë, guximin dhe maturinë që tregon ajo për të përballuar këto situata. Në këtë drejtim asaj i ndihmojnë edhe shembujt e panumërt, të një fati pothuajse të ngjashëm, të një numri të madh femrash të tjera, të cilat ngrihen në narracionin e veprës. Këtë zbulim autori e bën për dy arsye: së pari për t’i dhënë kurajë e forcë heroinës së romanit që t’i përballoj sa më lehtë vështirësitë dhe së dyti për të dëshmuar se fati i Dritës, megjithatë është fati i një numri të madh femrash shqiptare.

Për t’i dhënë fuqi sa më të madhe shprehëse, autori brenda romanit përdor dendur krahasimin, epitetin e metoniminë. Intrigën e ngritë kryesisht përmes dialogëve të personazheve, kurse si shenja paralajmëruese të gjërave që mund të ndodhin fut ëndrrën dhe parashikimin e fatit përmes filxhanit të kafesë. Në situata të caktuara, shkurtimisht, rolin e narratorit e kalon te personazhi dhe bën digresione në rrëfim, për të na njohur me situata të ndryshme ose për ta kaluar ngjarjen në një hapësirë të panjohur fillimisht, e më tej gjen momentin e duhur, për të na njohur me atë situatë apo atë hapësirë. Përmes figurës së urtësisë popullore, ‘’plakut të urtë’’, autori ja shton maturinë narrative romanit, të cilën e përforcon edhe më tej përmes elementit intelektual. Fundin e romanit e thur duke i qëndruar besnik lexuesit , pra duke i dhënë një fund të lumtur ashtu siç parapëlqen dhe ashtu siç do lexuesi i romaneve të tilla, ku para se gjithash si në teatër luhet fati njerëzor.

Go to TOP