Promovohet monografia për Abdurrahman Shalën

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se ka promovuar librin monografik “Abdurrahman Shala – Mjeshtri që e bëri punën sikur të ishte e lehtë” të autorit Visar Krusha.

Ceremonia e promovimit filloi me interpretimin artistik të Armend Smajlit me poezinë “Deti” të Fatos Arapit e cila në mënyrë figurative përshkruante jetën e protagonistit.

Para përfaqësuesve të institucioneve të vendit, të atyre kulturore, familjarëve, miqve, artistëve e dashamirësve të artit, u tha se nisma për botimin e këtij libri ka pasur për qëllim parësor hedhjen dritë mbi një figurë të jashtëzakonshme artistike të vendit tonë, si një thesar i çmuar i trashëgimisë sonë teatrore dhe filmike.

“Libri ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë artistike të Abdurrahman Shalës. I ndarë në disa kapituj, ky libër pasqyron jetën e tij që nga fëmijëria, pastaj, në mënyrë kronologjike, rrugëtimin e tij sfidues e plot dramë jetësore, prej aktori të teatrit dhe filmit, regjisori, skenaristi, themeltari e drejtuesi institucional. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, artistë, si dhe me persona të tjerë që e kanë njohur mirë dhe kanë punuar ngushtë me Abdurrahman Shalën”, ka njoftuar ministria.

Së këndejmi, ministri Çeku në fjalën e tij tha se Abdurrahman Shala si aktor, regjisor, producent dhe si drejtues nismëtar i një prej institucioneve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë, “Kosovafilmit”, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucioneve publike kulturore të vendit.

Derisa ky vit shënon 30-vjetorin e vdekjes së tij, ministri tha se “botimi i kësaj monografie është akti më i bukur i përkujtimit me të cilin do ta mbajmë edhe më afër kujtimin e tij të përjetshëm”. /Kosova.info/

Go to TOP