Filmi “Rrugës” do të shfaqet në festivalin e Kanës

Filmi i ri nga regjisori Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të festivalit të Kanës.

Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Kanë në vitin 2021.

“Nga 4,420 filma, “Rrugës” është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë: Kosova, Azerbajxhani, Brazili, Bullgaria, Kanada, Kina, Kroacia, Franca, Lituania, Portugalia dhe Shtetet e Bashkuara. Palma e Artë për Filmin e Shkurtër do të jepet nga juria e kryesuar nga Lubna Azabal, të shtunën, më 25 maj, gjatë ceremonisë së mbylljes së festivalit të 77-të të Kanës”, thuhet në njoftimin e produksionit “SK Pictures”.

E menjëherë pas këtij lajmi ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili ka përgëzuar regjisorin Samir Karahoda, filmi i të cilit do të shfaqet në festivalin prestigjioz të filmit në Kanë.“Për herë të dytë, regjisori Samir Karahoda fiton vend në përzgjedhjen zyrtare të programit të Festivalit të Filmit të Kanës. Pas pjesëmarrjes në vitin 2021 me filmin “Pa Vend”, ai këtë vit merr pjesë me filmin e ri “Rrugës”, brenda konkurrencës së filmit të metrazhit të shkurtë në edicionin e 77-të të këtij festivali jashtëzakonisht prestigjioz. Ai bëhet regjisori i parë nga Kosova që ka shfaqur dy filma të ndryshëm në konkurrencën e Kanës”, ka shkruar Kurti në Instagram.

Tutje Kurti ka theksuar se filmi është shkruar nga Samiri dhe djali i tij, Mironi, bazuar në një bisedë që të dytë kanë zhvilluar në veturë gjatë rrugës për në aeroport.

“Mironi bashkë me Ylber Mehmetin, luajnë dy rolet e vetme në film. Montazhën e filmit e ka kryer Enis Saraçi, të cilin e kam vizituar në studio në muajin shkurt, përderisa e montonte filmin bashkë me Samirin. Urime Samirit, Mironit, Ylberit, Erollit, Enisit dhe Labinotit, e shumë suksese në konkurrencën e këtij viti”, ka nënvizuar Kurti.

Filmi “Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Evropian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.

Go to TOP