Lushaku: Shtet për familjarë të pushtetarëve, jo për qytetarë!

Kryetarja e FGLDK-së, Jehona Lushaku ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së familjarëve të zyrtarëve të lartë të Qeverisë në bizneset energjetike duke e quajtur këtë një kapje flagrante të shtetit në funksion të interesave private familjare.

Përmes një reagimi publik, Lushaku ka theksuar se në kohën kur qytetarët e Kosovës përballen me vështirësi ekonomike dhe biznese po mbyllen për shkak të kostos së lartë të energjisë, në prapaskenë po krijohen kompani nga vëllezër e të afërm të pushtetarëve të Vetëvendosjes për të përfituar nga tenderët shtetërorë.

“Kur qytetarët s’kanë para as për t’i paguar faturat, në prapaskenë ndërtohen firma nga familjarët e pushtetarëve të VV-së për të fituar tenderë!” ka shkruar ajo.

Lushaku ka vënë në pah rastin konkret të vëllait të njërit prej këshilltarëve të kryeministrit Albin Kurti, i cili, sipas saj, ka hyrë në tregun e shitblerjes së energjisë elektrike, ndërsa vetë zyrtari qeveritar i ka uruar publikisht “fat vëllait” pa asnjë ndjesi përgjegjësie institucionale.

“Fat e tendera për familjarë, e fatkeqësi për qytetarë!” ka theksuar ajo duke e përshkruar këtë fenomen si një shembull të qartë të keqpërdorimit të pushtetit dhe mungesës së ndarjes mes interesit publik dhe atij familjar.

Lushaku përmbyll reagimin e saj me një ironi të fortë: “Fat familjarëve!” – duke përçuar mesazhin se shteti është vënë në shërbim të rrethit të ngushtë të pushtetit, e jo në funksion të qytetarëve të zakonshëm. /Kosova.info/


Go to TOP