Mbappe për Deschamps: Historia do ta vlerësojë madhështinë tënde

Kylian Mbappe ka ndarë një mesazh emocionues për Didier Deschamps, vetëm pak orë para largimit të trajnerit nga drejtimi i kombëtares së Francës.

Deschamps, një nga vetëm tre personat në histori që kanë fituar Kupën e Botës si lojtar dhe trajner, së bashku me Mario Zagallon dhe Franz Beckenbauerin, ka pasur një rol të rëndësishëm në karrierën e Mbappés. Ish-kapiteni i Francës i dha debutimin në kombëtare, i besoi një rol të madh në skuadër dhe së bashku festuan triumfin në Botërorin 2018.

Sulmuesi i Real Madridit e vlerësoi lart punën e Deschampsit gjatë 14 viteve në krye të “Les Bleus”, duke theksuar se ai ka qenë një figurë kyçe në rikthimin e Francës në majën e futbollit botëror.

“Sot ishte vallëzimi juaj i fundit. Ju që na keni dhënë kaq shumë. Ne duhet t’ju kishim dhënë një fund më të mirë, por nuk ia dolëm. Është shumë e vështirë të përshkruaj me fjalë gjithçka që keni bërë gjatë këtyre 14 viteve. Keni qenë një protagonist absolut në rilindjen e këtij ekipi”, tha Mbappe.

Ai theksoi gjithashtu se kontributi i Deschampsit nuk është vlerësuar gjithmonë sa duhet, por beson se koha do t’i japë trajnerit francez meritat që i takojnë.

“Njerëzit nuk e kanë vlerësuar gjithmonë madhështinë tuaj, por koha dhe historia do ta kompensojnë këtë. Faleminderit që më dhatë mundësinë dhe besimin për të përfaqësuar vendin tim në skenën më të madhe të futbollit”, pohoi ylli francez.

Mbappe shtoi se ndihet i privilegjuar që ka punuar përkrah një prej figurave më të mëdha të futbollit francez dhe i uroi sukses në kapitullin e ri të karrierës.

“Jam i privilegjuar që kam qenë pranë një prej legjendave më të mëdha të vendit tonë. Do të ruaj vetëm kujtime të mrekullueshme nga gjithçka që përjetuam dhe arritëm së bashku. Ju falënderoj për gjithçka që i keni dhënë kësaj fanelle, e cila do të thotë shumë për ne”, deklaroi Mbappe.

Deschamps largohet nga bankina e Francës pas një epoke të artë, gjatë së cilës fitoi Kupën e Botës 2018 dhe udhëhoqi ekipin deri në finalen e Botërorit 2022.


Go to TOP