Musliu: Policia e Kosovës meriton politika dinjitoze, jo lëmoshë me zbritje shëndetësore
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar pas nismës së ish-ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe disa institucioneve private për të ofruar zbritje në shërbime shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ajo ka vlerësuar qëllimin e mirë dhe vullnetin fisnik të përfshirë në këtë iniciativë, por ka theksuar se ky nuk është trajtimi i duhur për një institucion si Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës nuk guxon të trajtohet me ndihma apo lëmoshë, sado me zemër të madhe të jenë ato,” ka shkruar Musliu.
Ajo ka theksuar se shteti ka përgjegjësi të përhershme për Policinë dhe se kjo kategori duhet të ketë trajtim të barabartë dhe dinjitoz si çdo pjesëtar tjetër i sistemit shtetëror.
🔹 “Policia meriton pagë dinjitoze.”
🔹 “Meriton pension të sigurt dhe të drejtë.”
🔹 “Meriton sigurim shëndetësor të garantuar nga shteti, jo zbritje 25%, por mbulim 100% të trajtimeve shëndetësore,” ka theksuar Musliu.
Sipas saj, ndihmat private janë të mirëseardhura vetëm në raste të jashtëzakonshme, por kur bëhet fjalë për Policinë, kujdesi duhet të jetë i institucionalizuar dhe i garantuar nga shteti.
“Është koha të flasim për politika, jo për lëmoshë,” ka përfunduar ajo. /Kosova.info/
