Java nis e nxehtë, freskim nga e mërkura
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), në kuadër të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka publikuar parashikimin e motit për periudhën 20–24 korrik 2026 duke bërë të ditur se java do të nisë me temperatura të larta, ndërsa nga e mërkura pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave dhe përmirësim i kushteve biometeorologjike.
Sipas parashikimit, të hënën dhe të martën temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 28 dhe 33 gradë Celsius. Paraditet do të jenë kryesisht me diell, ndërsa pasdite pritet shtim i vranësirave, reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh në disa zona të vendit.
Të mërkurën do të depërtojë një masë ajrore më e freskët nga veriperëndimi duke ulur temperaturat maksimale në 23 deri në 26 gradë Celsius. Moti do të jetë i paqëndrueshëm, me reshje shiu, rrebeshe lokale dhe shkarkime rrufesh në pjesën më të madhe të territorit.
Të enjten moti pritet të stabilizohet, me temperatura minimale prej 8 deri në 11 gradë dhe maksimale deri në 29 gradë Celsius. Do të mbajë mot kryesisht me diell dhe nuk parashihen reshje.
Ndërkaq, të premten temperaturat do të bien edhe më tej, me vlera maksimale nga 19 deri në 24 gradë Celsius. Në disa zona priten reshje lokale shiu dhe shkarkime rrufesh, kryesisht gjatë orëve të pasdites.
IHMK bën të ditur se gjatë dy ditëve të para të javës, personat me sëmundje kronike kardiovaskulare dhe respiratore duhet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës. Nga e mërkura, me freskimin e motit, kushtet biometeorologjike pritet të përmirësohen dukshëm duke ulur stresin termik dhe indeksin e nxehtësisë.
Për sektorin e bujqësisë, temperaturat e larta në fillim të javës do të favorizojnë zhvillimin e kulturave verore, por do të rrisin edhe humbjen e lagështisë nga toka. Rekomandohet ujitja e rregullt e kulturave, ndërsa reshjet lokale të parashikuara gjatë javës do të ndihmojnë në përmirësimin e lagështisë së tokës. Sipas IHMK-së, dita e enjte paraqitet si më e favorshmja për kryerjen e punimeve bujqësore, për shkak të motit të qëndrueshëm dhe mungesës së reshjeve. /Kosova.info/
| Komuna (Qyteti) | 20.07.2026 | 21.07.2026 | ||
| Temp. Min.0C | Temp. Max 0C | Temp. Min.0C | Temp. Max.0C | |
| Prishtinë | 17 | 32 | 16 | 31 |
| Pejë | 17 | 32 | 16 | 31 |
| Prizren | 18 | 33 | 17 | 32 |
| Gjakovë | 18 | 33 | 17 | 32 |
| Istog | 18 | 33 | 17 | 32 |
| Junik | 17 | 32 | 16 | 30 |
| Dragash | 13 | 29 | 14 | 28 |
| Ferizaj | 16 | 31 | 15 | 30 |
| Gjilan | 16 | 31 | 15 | 30 |
| Kamenicë | 16 | 32 | 15 | 32 |
| Besianë | 16 | 31 | 15 | 31 |
| Mitrovicë | 17 | 31 | 16 | 31 |
| Malishevë | 17 | 32 | 16 | 32 |
