Spektakël në finalen e Botërorit, yjet e muzikës pushtojnë `MetLife`

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të jetë vetëm një përballje për trofeun më të rëndësishëm të futbollit, por edhe një spektakël i madh jashtë fushës.

Për herë të parë në histori, FIFA ka përgatitur një shfaqje muzikore të veçantë gjatë pushimit të finales, duke marrë frymëzim nga spektakli i famshëm i “Super Bowl” në Shtetet e Bashkuara.

Ceremonia e mbylljes së Botërorit tashmë ka nisur dhe do të zgjasë rreth një orë e gjysmë para fillimit të ndeshjes në stadiumin “MetLife” të Nju Xhersit, ku do të ndërthuren muzika, futbolli dhe kulturat e tri vendeve organizatore: SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë.

Në ceremoninë po performojnë disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore. Artisti amerikan Post Malone do të jetë një nga protagonistët kryesorë të shfaqjes, ndërsa në skenë do të ngjiten edhe Laura Pausini, Nicole Scherzinger dhe Robbie Ëilliams.

Një tjetër pjesëmarrës i veçantë do të jetë ylli i internetit iShoëSpeed, i cili gjatë këtij Botërori është bërë një nga figurat më të spikatura në tribuna dhe rrjetet sociale.

Spektakli, i cili tashmë ka nisur dotë ketë edhe një paraqitje speciale nga aktori i famshëm hollivudian Tom Cruise, megjithëse FIFA ende nuk ka zbuluar detaje për rolin e tij.

Para fillimit të finales, himni kombëtar i Shteteve të Bashkuara do të interpretohet nga këngëtarja Jennifer Hudson, ndërsa trofeu i Kupës së Botës do të prezantohet në fushë në një valixhe speciale të markës Louis Vuitton.

Pushim historik me koncert muzikor

Momenti më i veçantë do të jetë pjesa e parë e pushimit të finales, ku FIFA do të organizojë për herë të parë një koncert të plotë muzikor.

Pushimi i finales do të zgjasë 17 minuta, ku 11 minuta do t’i kushtohen performancës artistike, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për montimin dhe largimin e skenës, si dhe për përgatitjen e fushës.

Në këtë spektakël po marrin pjesë emra gjigantë të muzikës botërore si Madonna, Shakira, BTS dhe Justin Bieber.

Gjithashtu, pjesë e programit është edhe dirigjenti i njohur venezuelian Gustavo Dudamel, i cili do të sjellë një kombinim mes muzikës pop dhe orkestrës.

Në skenë do të shfaqet edhe kori i fëmijëve PS22 Children’s Chorus nga Nju Jorku, në një performancë të përbashkët me grupin Coldplay. Organizatorët kanë përfshirë gjithashtu personazhe të njohura si Kermit dhe Miss Piggy, në kuadër të mesazhit për edukimin dhe bashkimin global.

FIFA dhe organizata “Global Citizen” synojnë që finalja e Botërorit 2026, e kombinuar me këtë spektakël muzikor, të ndiqet nga rreth 2 miliardë shikues në mbarë botën, duke e bërë një nga ngjarjet më të mëdha sportive dhe argëtuese në histori.

Go to TOP