Trump për Messin: Është shumë e vështirë të vësh bast kundër tij
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur admirimin e tij për Lionel Messin vetëm pak orë para finales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.
Trump vlerësoi paraqitjen e kapitenit argjentinas në gjysmëfinale, veçanërisht asistimin e tij vendimtar, të cilin e cilësoi si një moment perfekt që tregon cilësinë e jashtëzakonshme të tetë herë fituesit të “Topit të Artë”.
“Është shumë e vështirë të vësh bast kundër Messit. E pashë atë pasim… ose mund ta quajmë një pasim vendimtar. Ishte absolutisht perfekt”, tha Trump.
Ai theksoi se përveç aftësisë së shokut të skuadrës për ta përfunduar aksionin, merita kryesore i takon saktësisë së Messit në momentin e dhënies së topit.
“Sigurisht që edhe bashkëlojtari i tij duhet të ketë talent për ta goditur topin me atë shpejtësi, por vetë pasimi ishte perfekt. Nëse ekzistonte një vend ideal ku duhej të shkonte topi, Messi e vendosi pikërisht aty”, theksoi ai.
Presidenti amerikan u ndal edhe te lëvizja e Messit para asistimit, duke vlerësuar mënyrën se si ai arriti të largohej nga mbulimi i mbrojtësit dhe të krijonte hapësirë.
“E pashë edhe aksionin para pasimit dhe mënyrën se si u shkëput nga mbrojtësi. Ishte i mbuluar ngushtë, por papritur u gjend i lirë dhe e luajti topin në mënyrë mjeshtërore”, deklaroi Trump.
Në fund, Trump përsëriti vlerësimin e tij për yllin argjentinas, duke e cilësuar Messin një futbollist të madh dhe një nga arsyet pse Argjentina mbetet gjithmonë një kundërshtar i rrezikshëm.
“Kjo është arsyeja pse them se është shumë e vështirë të vësh bast kundër Messit. Ai është një lojtar i madh”, përfundoi Trump.
