Xavi: Dua të drejtoj një kombëtare

Legjenda e Barcelonës dhe Spanjës, Xavi Hernandez, ka bërë të ditur se është i hapur për një aventurë të re si trajner i një kombëtareje.

Ish-mesfushori katalanas ka pranuar se një nga dëshirat e tij është të drejtojë një ekip përfaqësues në turnetë më të mëdha ndërkombëtare, si Kupa e Botës, Kampionati Evropian, Kupa e Azisë apo Kupa e Afrikës.

Xavi është pa angazhim që prej largimit nga Barcelona në maj të vitit 2024. Gjatë kohës së tij në stolin e klubit katalanas, ai arriti të fitojë La Ligën në sezonin 2022/23 dhe Superkupën e Spanjës, pavarësisht se sezoni i fundit përfundoi pa trofe.

Në një intervistë për mediat spanjolle, Xavi ka theksuar se drejtimi i një kombëtareje do të ishte një mundësi që i përshtatet më shumë edhe për shkak të angazhimeve familjare.

“Hapi im i ardhshëm mund të jetë një kombëtare. Do ta them hapur: kjo mund të jetë një zgjedhje e mirë për mua”, ka thënë Xavi.

“Kam familjen time. Një klub nuk do të më lejonte të kaloja aq shumë kohë me ta, pasi kam fëmijë të vegjël”.

“Jam i interesuar të jem trajner në një Kupë Bote, Evropian, Kupë të Afrikës ose Kupë të Azisë”, theksoi ai.

Xavi ka gjithashtu një eksperiencë të suksesshme në drejtimin e klubit Al Sadd në Katar, ku fitoi shtatë trofe. Si trajner i Barcelonës, ai regjistroi 90 fitore në 143 ndeshje.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Xavi ishte një nga mesfushorët më të mëdhenj të gjeneratës së tij, me mbi 1000 paraqitje profesionale, ndërsa me Spanjën fitoi Kupën e Botës 2010 dhe dy Kampionate Evropiane.


Go to TOP