Bajrami: Kallëzimit penal i qëndroj prapa, të hetohen të gjitha institucionet përgjegjëse për deponinë në Sferkë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas përgjigjes së ministres në detyrë të Mjedisit lidhur me situatën në deponinë e mbeturinave në Sferkë duke theksuar se kallëzimi penal i dorëzuar prej saj kërkon hetimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse.

Bajrami tha se kallëzimi penal nuk është drejtuar vetëm ndaj një institucioni, por ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), Ministrisë, Qeverisë dhe çdo institucioni që ka pasur përgjegjësi në këtë rast.

Ajo ngriti pyetjen se përse deponia ka vazhduar funksionimin, nëse vetë Ministria ka konstatuar se nuk i ka përmbushur standardet mjedisore duke shtuar se, sipas saj, në raste të tilla nuk mjafton vetëm shqiptimi i gjobave.

Sipas deputetes së LDK-së, reagimi i ministres vetëm sa e përforcon pretendimin e saj se institucionet përgjegjëse kanë dështuar në mbrojtjen e mjedisit dhe në menaxhimin e situatës.

Bajrami kërkoi gjithashtu sqarime për masat që janë ndërmarrë për të mbrojtur qytetarët nga tymi i deponisë duke ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në shëndetin publik, bujqësi, blegtori dhe mjedis.

Në fund, ajo theksoi se i qëndron plotësisht prapa kallëzimit penal dhe kërkoi që Prokuroria të hetojë çdo veprim dhe mosveprim institucional. Sipas saj, nëse vërtetohet se ka pasur moskryerje të detyrës zyrtare, keqpërdorim të pozitës apo shkelje të tjera ligjore, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. /Kosova.info/

Go to TOP