Kaos para finales, gazetarët përballen me pritje të gjata jashtë ‘MetLife`

Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës është shoqëruar me probleme organizative jashtë stadiumit “MetLife” në Nju Xhersi, ku gazetarë, vullnetarë dhe punonjës të stadiumit kanë hasur vështirësi për të hyrë në impiant.

Pavarësisht paralajmërimeve të FIFA-s që mediat të paraqiteshin herët për shkak të masave të shtuara të sigurisë, bllokimeve të rrugëve dhe pranisë së figurave të rëndësishme, hyrja në stadium u kthye në një situatë kaotike.

Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, disa gazetarë që kishin mbërritur para hapjes së hyrjes së mediave kanë pritur për më shumë se dy orë për të kaluar kontrollet. Mungesa e një organizimi të qartë ka krijuar radhë të gjata, konfuzion dhe debate mes personave që prisnin të hynin.

Raportohet se nuk kishte barriera të mjaftueshme për orientimin e turmave dhe as një koordinim të dukshëm nga stafi përgjegjës. Disa grupe gazetarësh dhe punonjësish janë drejtuar drejt hyrjeve të tjera pas informacioneve kontradiktore, por më pas janë detyruar të rikthehen në radhën fillestare.

Situata është përkeqësuar edhe nga kapaciteti i kufizuar i kontrolleve të sigurisë. Vetëm disa pika kontrolli dhe skanerë bagazhesh ishin në dispozicion për mijëra persona, duke shkaktuar vonesa të mëdha para hyrjes në stadium.

Pavarësisht problemeve jashtë impiantit, atmosfera rreth “MetLife Stadium” është dominuar nga tifozët argjentinas. Mbështetësit e “Albiceleste” kanë qenë dukshëm më të shumtë, me flamuj, fanella dhe kore që kanë pushtuar hapësirat përreth stadiumit disa orë para fillimit të finales.

Ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te dueli mes Spanjës dhe Argjentinës në fushë, organizimi jashtë stadiumit ka ngritur pikëpyetje për përgatitjet e finales së eventit më të madh të futbollit botëror.

Go to TOP