Ambasada e Kosovës në Kroaci shpërndan pako ushqimore bashkatdhetarëve në pikën kufitare
Me rastin e fluksit të shtuar të udhëtarëve gjatë sezonit veror, stafi i Ambasadës së Kosovës në Kroaci ka njoftuar se ka qëndruar në pikën kufitare Bajakovo, ku ka ofruar mbështetje për bashkatdhetarët që po presin të kalojnë kufirin.
Për udhëtarët, siç thuhet përmes një postimi në Facebook, janë shpërndarë ujë dhe pako ushqimore, ndërsa sipas Ambasadës, pavarësisht kolonave të gjata të automjeteve, koha e pritjes për kalimin kufitar aktualisht është rreth 10 deri në 15 minuta.
Në pikën kufitare Bajakovo janë funksionale tetë korsi hyrëse, ndërsa autoritetet kroate po punojnë për të siguruar një qarkullim sa më të shpejtë.
Sipas njoftimit, kolonat janë kryesisht pasojë e zbatimit të Sistemit EES (Entry/Exit System), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar dhe ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të qarkullimit.
“Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës, shprehim falënderimin tonë të veçantë për z. Hakif Qenaj, i cili dhuroi pakot ushqimore të shpërndara për udhëtarët. Kontributi i tij përfaqëson një akt të çmuar solidariteti dhe kujdesi ndaj bashkatdhetarëve tanë. Ambasada e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve të saj duke monitoruar situatën në pikat kufitare dhe duke ofruar mbështetje sa herë që kjo është e nevojshme. U dëshirojmë të gjithë bashkatdhetarëve tanë një udhëtim të sigurt dhe të mbarë”, thotë Ambasada e Kosovës në Kroaci. /Kosova.info/
