Komuna e Gjilanit anulon ekskursionet për këtë vit shkollor

Nxënësit e shkollave të Gjilanit kanë kërkuar të realizojnë vizita jashtë vendit, edhe përkundër vendimit të kryetarit të komunës Alban Hyseni të 2 shkurtit të këtij viti për ndalimin e tyre. Pas shpalljes së njoftimeve nga shkollat dhe pranimit të ofertave, prindërit, nxënësit dhe udhëheqësit e shkollave kanë vendosur të anulojnë shëtitjet për shkak të çmimeve të larta.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjilanit,  Albana Demiri, tha se para disa muajve kryetari Alban Hyseni ka marrë vendim për anulim të ekskursionit për maturantët jashtë vendit.

Ajo tregoi se ky vendim është bërë për shumë arsye, si çmimet e papërballueshme për prindërit, dukuritë negative të cilat kanë ndodhur në të kaluarën dhe problematika të ngjashme, të cilat për një kryetar komune të përgjegjshëm do të duhej të ishin përgjegjësi e barrë mbi supet e tij sikur tani.

Albana Demiri më tej shtoi se pas disa takimeve me këshillin e nxënësve e këshillat e prindërve, nxënësit kanë qenë të lirë të zgjedhin, pra të propozojnë vendin të cilin dëshirojnë ta vizitojnë.

Drejtoresha e Arsimit theksoi se secili institucion i arsimit të mesëm ka shpallur ofertë me agjendën të cilën e kanë propozuar vetë shkollat. Pas mbylljes së afatit, duke respektuar udhëzimin administrativ në fuqi, në Drejtorinë e Arsimit janë hapur ofertat e tenderuesve sipas udhëzimit, njofton komuna e Gjilanit.

Më pas drejtorët e shkollave i kanë njoftuar nxënësit e shkollave për çmimet e ofruara nga kompanitë, ku një pjesë e madhe e tyre janë deklaruar se nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në ekskursion për shkak të çmimeve.

Sipas saj, këto shqetësime janë ngritur në Drejtorinë e Arsimit nga drejtorët e shkollave, me ç’rast unanimisht është marrë vendim që ekskursioni të anulohet për këtë vit shkollor.

“Drejtoria e Arsimit as nuk tenderon për ekskursion, e as nuk oferton për kompanitë”, tha drejtoresha e Arsimit, Albana Demiri, njofton tutje Komuna e Gjilanit. /Kosova.info/

Go to TOP