Gasperini: Atalanta gati për ta sfiduar Bayer Leverkusen

Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini, ka shprehur besimin e tij se skuadra italiane është e gatshme të krijojë telashe për Bayer Leverkusen në finalen e Europa League.

Duke folur në prag të ndeshjes, Gasperini ka vlerësuar fuqinë e kundërshtarëve, por ka theksuar edhe aftësinë e ekipit të tij.

“Bayer është një ekip i fortë, nuk ka dyshim. Jo vetëm për rezultatet, por për zgjidhjet që i kanë çuar ata të arrijnë rezultate të jashtëzakonshme. Ne e dimë forcën e tyre, do të përpiqemi të marrim kundërmasat më të mira”, ka thënë Gasperini në konferencën për shtyp. “Edhe ne kemi aftësinë të qëndrojmë në fushë, të mbajmë pozicionet tona dhe të propozojmë zgjidhjet tona. Ne kemi aftësinë të krijojmë probleme edhe për Bayer”.

Trajneri italian ka shtuar se përvoja e Atalantas gjatë këtij rrugëtimi në Europa League ka qenë e vlefshme për të rritur vetëdijen dhe besimin në aftësitë e skuadrës.

“Ne jemi të bindur se kemi bërë një rrugëtim të madh që na ka çuar të përballemi me ekipe të forta dhe të rëndësishme. Kjo na ka dhënë vetëdijen për aftësitë tona. Nesër do të kemi energjinë e duhur për ta bërë këtë”, ka thënë ai. 

Go to TOP