Elbasan, Marshimi i Paqes kushtuar emigrimit të rinisë

Komunitetet fetare zhvilluan sot në Elbasan Marshimin e Paqes, kushtuar emigrimit, një dukuri që po shpopullon shumë zona rurale dhe qytetare të Shqipërisë. Pjesëmarrësit shprehën shqetësim për këtë dukuri, për të cilën, pohuan se kanë përgjegjësi pushteti qendror dhe ai vendor, qarqet politike, sistemi arsimor dhe shoqëria civile.

Ata diskutuan të shqetësuar për emigrimin si një hemorragji 30 vjeçare për Shqipërinë, që po përsëritet tani.

Varfëria që njerëzit trashëguan nga diktatura komuniste justifikonte lëvizjen e madhe të popullatës në fillim të viteve 90, ndërsa ata kërkonin punë dhe kushte normale jetese.

Shqipëria u mbajtur me dhunë në izolim për 45 vjet, por tani pas 30 vjetësh po emigrojnë persona dhe familje, që kanë punë, shtëpi dhe mirëqenie, por nuk kanë siguri dhe perspektivë, pohon hirësi Andoni, mitropoliti i Elbasanit.

“Kjo dukuri na shqetëson dhe meriton një reflektim të thellë nga të gjithë. Tani ikin edhe njerëz që janë të stabilizuar me punë dhe me shtëpi, e megjithatë nuk ndjejnë siguri dhe nuk shohin perspektivë. Në këtë frymë kanë hyrë edhe të rinjtë, që e kanë në një qëllim largimin nga vendi, sapo t’u jepet një mundësi apo sapo të plotësojnë moshën dhe kritere të tjera”, thotë hirësi Andoni.

Ndërsa drejtues i kishës katolike për jugun e Shqipërisë, shkëlqesia Giovanni Peragine, thotë se vitet e fundit janë të shumtë shqiptarët që po largohen nga vendi.

Si emigrantë thirren jo njerëzit që duan të shëtitin nëpër botë, por ata që largohen nga luftërat, ndërsa shqiptarët po ikin, edhe pse Shqipëria nuk ka luftë, thotë ai.

“Kjo është një dukuri shumë komplekse, që duhet menduar shumë. Shqiptarët thonë se nuk e shikojnë shpresën, nuk kanë shpresë në të ardhmen e tyre, mbi të gjitha, për fëmijët. Fatkeqësisht varfëria, papunësia dhe korrupsioni shkurajojnë njerëzit të qëndrojnë këtu”, thotë shkëlqesia Giovani.

Pjesëmarrësit në marshim mbeten me shpresën që rinia që po emigron sot, mund të kthehet shpejt për të ndihmuar në zhvillimin e Shqipërisë.

Por emigrimi, thotë Ilir Gjoni, pastor i Kishës Ungjillore, është një dukuri e dhimbshme, që përmban trishtim dhe humbje të mëdha të vlerave njerëzore.

“Të gjithë këta që po ikin do të kthehen një ditë dhe do të mendojnë për atdheun, siç bënë rilindësit. Kjo është lutja jonë, që ata të mos ikin, dhe të ikurit të kthehen. Arsyet e ikjes së tyre janë të shumta: mungesa e shpresës dhe sigurisë, dhe e një vizioni të qartë për ardhmërinë ekonomike, financiare. Këtij tranzicioni do t’i vijë fundi dhe do të vijë për kombin tonë një kthjelltësi, një qartësi, që njerëzit tanë ta shohin se shpresa nuk është diku jashtë, që shpresa është brenda nesh. Shqipëria është një komb me vitalitet, me forcë dhe do ta kapërcejmë këtë sfidë dhe vështirësi”, thotë pastor Iliri.

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar është një organizatë gjithëpërfshirëse, që jep ndihmesën e vet në harmoninë mes bashkësive të ndryshme.

Një nga organizatorët e marshimit, Sokol Lulgjuraj thotë se emigrimi i përfshin të dyja edhe dhimbjen edhe shpresën.

“Për sa kohë ne ndërthurim kulturën tonë me kultura të tjera, që na sjellin shpresën dhe nivele më të larta, por nga ana tjetër është edhe dhimbje, sepse ne si prindër dëshirojmë t’i kemi fëmijët pranë. Historia është një lëvizje e gjithanshme, ndaj duhet të pranojmë sfidat he jo t’i marrim ato si një dhimbje pa kalim”, thotë zoti Lulgjuraj.

Ndërsa Arben Ramkaj, përfaqësues i besimtarëve myslimanë dhe kryetar i qendrës së bashkëpunimit ndërfetar, Arben Ramkaj, thotë se marshimi i sotëm është një përpjekje për të ndihmuar në ndërgjegjësimin e gjithsecilit mbi sprovat, dhe mënyrat për t’u përballur me to, sepse njerëzve u është vrarë vizioni për të ardhmen dhe ky duhet rindërtuar hap pas hapi.

“Siç e patë edhe vet politikanët nuk morën pjesë në marshimin kushtuar emigrimit. Zakonisht ata kanë marrë pjesë në marshime mbi çështje të tjera. Por ne nuk duam ta politizojmë çështjen e emigrimit. Ne duam të hapim një debat social, kulturor, ku të përfshihet e gjithë shoqëria për të ardhmen e fëmijëve tanë. Frika jonë është se emigrimi po na kthehet në kulturë kombëtare”, thotë zoti Ramkaj.

Në fillim të viteve 90 të rinjtë punonin jashtë vendit në afate të shkurtra për të ndihmuar familjet e tyre këtu në Shqipëri, dhe pjesa më e madhe e tyre ishin me mendimin për një emigrim të shkurtër, dhe të ktheheshin dhe të investonin në vendin e tyre.

Por aktualisht një numër në rritje i shtetasve nga të gjithë moshat, të rinj e të moshuar, individë apo familje po largohen për shkak të varfërisë dhe mungesës së besimit për mirëqenie në të ardhmen në vendin e tyre.

Go to TOP