Rivendoset monumenti i Nënë Pashkes

Një nga rastet simbol të vuajtjeve të shqiptarëve gjatë luftës është edhe rasti i Nënë Pashkes, e cila pas rivarrosjes së bijve të saj të vrarë nga forcat serbe, ia vuri flakën vetes, duke u vetëflijuar. Guri që ishte vendosur për ta përkujtuar këtë akt, ishte larguar nga pronari i tokës, por tash me të po merret Agjencia për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale.

Në prag të shënimit të 27 prillit, në Kompleksin Memorial në Meje të Gjakovës është vendosur përkohësisht ‘’Guri i Nënë Pashkes’.

Kjo pasi pronari i tokës, më 20 korrik të vitit të kaluar, pati larguar gurin ku ishte vetëflijuar Nënë Pashke.

Drejtori ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj, shpjegoi për RTK-në, jashtë kamerës, se guri po vendoset përkohësisht deri në një vendim tjetër të institucioneve përgjegjëse.

Ndërkaq, familjarët e Nënë Pashkes e mirëpresin veprimin e kësaj agjencie.

“Meqenëse jemi në prag të 27 prillit ne si familje e kemi mirëpritur rregullimin ose përmirësimin e gjendjes së gurit qysh ka qenë deri më tani, me që 27 prilli është dita kur janë vra dy djemtë e Nënës Pashke edhe afër 500 bashkëvendas të tyre në këtë anë”, tha Liridon Marku, nipi i Nënës Pashke.

Më 27 prill, 1999, në Mejë dhe Korenicë, u vranë dhe u masakruan 374 shqiptarë, në mesin e tyre edhe dy djemtë e Nënës Pashke. Pas gjetjes dhe rivarrimit të mbetjeve të tyre mortore, ajo ia vuri flakën vetës duke iu bashkuar bijve të saj në amshim. Me aktin e saj të vetëflijimit, Nëna Pashke është shndërruar në simbol të tragjedisë, dhimbjes dhe qëndresës.

Go to TOP