Abdixhiku: Reforma e Jehonës, Prishtina nis mësimin gjithëditor për fëmijët e shkollave fillore

Lumir Abdixhiku ka ndarë një histori të jashtëzakonshme suksesi nëpërmjet Facebook, duke vënë në pah përpjekjet e Jehonës, nënkryetarja dhe drejtoresha për arsim në kryeqytet, për të transformuar sistemin arsimor të Prishtinës.

“Vetëm gjashtë muaj pas emërimit të saj, Jehona ka arritur të realizojë një reformë thelbësore, duke sjellë mësimin gjithëditor për fëmijët e klasave 1-5 në shkollat kryesore të kryeqytetit. Nga 1 shtatori, 3 mijë fëmijë do të përfitojnë nga ky model i ri, ku përveç mësimeve të rregullta, do të kenë drekë në shkollë, aktivitete sportive dhe kulturore, si dhe mbështetje për detyrat e shtëpisë deri në ora 15:00”, ka shkrua Abdixhiku.

Ai ka thënë se, për të realizuar këtë reformë ambicioze, Jehona ka punuar pa ndërprerë gjatë verës, duke zhvilluar konsultime me prindër, mësimdhënës dhe akterë të tjerë, rinovuar shkollat dhe ndërtuar kuzhina të reja. Përpjekjet e saj kanë kulmuar me një transformim që do të lehtësojë jetën e mijëra familjeve dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e arsimit në Prishtinë.

“Kjo reformë është vetëm fillimi, pasi vitin e ardhshëm do të përfshihen edhe më shumë shkolla, duke e zgjeruar këtë model në tërë Kosovën. Sipas Abdixhikut, kjo nismë e dëshmon se me përkushtim dhe lidership të duhur, asgjë nuk është e pamundur”.

Abdixhiku ka përfunduar duke thënë se “Ky është modeli ynë!. /Kosova.info/

Go to TOP