Zekaj: Në trajtimin e rasteve të vrasjeve ka mungesë të profesionalizimit

Yll Zekaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se në bazë të monitorimit sistematik që ua bëjnë këtyre rasteve të vrasjeve, sistemi i drejtësisë po dështon që t’i zbardhë të njëjtat.

Ai tha se zvarritja dhe moszbulimi i kryerësve të vrasjeve ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve në organet e ndjekjes dhe sistemin e drejtësisë.

Gjatë monitorimit të rasteve të vrasjeve në sistemin kosovar të drejtësisë, Zekaj tha se IKD ka gjetur se në trajtimin e këtyre rasteve, paraqiten vazhdimisht mungesë e profesionalizmit, e cila mungesë më pastaj reflekton edhe në efikasitetin dhe efektivitetin e këtyre procedurave penale të kryerësve të këtyre rasteve.

“Vrasja është ndër krimet më të rënda që hyn në kapitullin e veprave penale ndaj jetës dhe trupit, prandaj si të tilla këto raste janë shumë të ndjeshme dhe moszbulimi i tyre ndikon negativisht në shumë dimensione. Pasiguria që krijohet tek qytetarët nga kryerja e këtyre veprave është shumë e madhe, ndërsa zvarritja dhe moszbulimi i kryerësve ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve në organet e ndjekjes dhe sistemin e drejtësisë. Në këtë drejtim, situata rëndohet edhe më shumë, kur kemi raste të ngritjes së aktakuzave për vrasje, të cilat nuk arrijnë të marrin një epilog përfundimtar me vite të tëra”.

“Gjatë monitorimit sistematik të këtyre rasteve, IKD ka evidentuar numër të konsiderueshëm të rasteve, në të cilat shkelet e drejta për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor. Jo efikasiteti në trajtimin e rasteve të vrasjeve, përkthehet edhe si mungesë e efikasitetit në mbrojtjen e të drejtës në jetë, nga ana e sistemit kosovar të drejtësisë. Në anën tjetër, mungesa e efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve, paraqet konsekuenca jashtëzakonisht negative edhe te palët e dëmtuara. Këto konsekuenca negative manifestohen si në aspektin moral, ashtu edhe në atë material”, tha Zekaj në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në bazë të monitorimit, IKD ka gjetur se gjatë viteve 2013-2019, Prokurori i Shtetit ka dështuar të provojë aktakuza në gjithsej 47 raste, në të cilat është nxjerrë aktgjykim lirues nga ana e gjykatës. Ndërsa, në 43 raste të tjera, aktgjykim refuzues.

Go to TOP