​Vdes këngëtari legjendar amerikan Bobby Sherman

Ka vdekur në moshën 81-vjeçare këngëtari dhe aktori i njohur amerikan, Bobby Sherman, pas një beteje me kancerin.

Këtë e bëri të ditur gruaja e tij Brigitte Poublon Sherman në një postim në rrjetin social Instagram.

“Me zemër të rënduar po ndaj me ju lajmin për vdekjen e burrit tim të dashur, Bobby Sherman. Bobby e la këtë botë duke më mbajtur dorën, siç e kishte mbajtur jetën tonë me dashuri, trimëri dhe dituri të palëkundur përgjatë 29 vjetëve të bukura martese”

Sherman u bë i famshëm në fund të viteve të gjashtëdhjeta si një nga idhujt më të mëdhenj të rinisë në Amerikë, me hite të njohura si “Little Woman”, “Julie, Do Ya Love Me” dhe “Easy Come, Easy Go”. Ai gjithashtu u shfaq në seri televizive si “Here Come the Brides” dhe “Getting Together”.

Pas tërheqjes nga skena muzikore, Sherman iu përkushtua aktivizmit publik si punëtor emergjent dhe oficer rezervë në Policinë e Los Anxhelosit, duke u vlerësuar për kontributin e tij në trajnimin mjekësor të oficerëve të rinj.

Sherman ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Encino, Kaliforni, më 24 qershor 2025, i rrethuar nga familjarët. Ai la pas gruan e tij, dhe dy djem nga një martesë e mëparshme. Ai do të mbahet mend si një figurë që i dha zë një epoke, por që më vonë zgjodhi të shërbente komunitetit me përkushtim dhe përulësi.


Go to TOP