Unazat e kampionëve të Botërorit kushtojnë deri në 112 mijë paundë
Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, fituesit e trofeut do të shpërblehen edhe me unaza kampionësh, ndërsa FIFA ka përgatitur një version të tyre edhe për tifozët që duan t’i blejnë.
Argjentina dhe Spanja do të përballen sonte në finalen e Botërorit në stadiumin “MetLife” në Nju Xhersi, me synimin për të fituar kurorën e kampionit të botës. Përveç trofeut prestigjioz, skuadra fituese do të marrë edhe unazat e veçanta të kampionëve.
Rreth 30 unaza janë rezervuar për lojtarët dhe stafin e ekipit triumfues, ndërsa FIFA ka bërë të ditur se 1 mijë e 996 të tjera do të dalin në shitje për publikun.
Organizata botërore e futbollit i ka cilësuar këto unaza si “një simbol të ri të triumfit”, ndërsa secila prej tyre do të shoqërohet me certifikatë autenticiteti dhe do të përshtatet sipas madhësisë së blerësit.
Megjithatë, çmimi i tyre ka shkaktuar reagime të shumta te tifozët. Sipas raportimeve, një unazë e tillë mund të kushtojë deri në 112 mijë paund, ndërsa modelet e ngjashme me ar dhe gurë të çmuar zakonisht kanë vlera që variojnë nga 7 mijë e 400 deri në 112 mijë paund.
Nëse të gjitha unazat e nxjerra në shitje do të shiten me çmimin maksimal, FIFA mund të arkëtojë mbi 200 milionë paund nga kjo iniciativë.
Ky vendim ka hapur debat mes tifozëve, të cilët e kanë kritikuar FIFA-n duke e akuzuar se po e shndërron një simbol sportiv në një mundësi komerciale. Kritikat vijnë në një kohë kur organizata është përballur edhe me diskutime të tjera, si pushimet për hidratim dhe shfaqja muzikore në pjesën e parë të finales së Botërorit.
