Kroos parashikon finalen: Goli i parë vendos gjithçka

Ish-mesfushori i Gjermanisë, Toni Kroos, ka dhënë parashikimin e tij për finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, duke e cilësuar skuadrën e Luis de la Fuente si favorit nëse arrin të kalojë e para në avantazh.

Kampioni i botës me Gjermaninë në vitin 2014, i cili fitoi finalen e famshme ndaj Argjentinës së Lionel Messit në stadiumin “Maracana”, beson se stili i lojës së Spanjës është tepër i vështirë për t’u përballuar, sidomos kur iberikët kontrollojnë rezultatin.

Në emisionin e vëllait të tij, Felix Kroos, ish-ylli i Real Madridit dhe Bayern Munichut u shpreh se një gol i hershëm i Spanjës mund ta vendosë praktikisht fatin e finales.

“Nëse një ekip si Spanja bën lojën e saj edhe nëse kalon në avantazh, nuk do të doja të përballesha me ata”, tha Kroos.

Ai shkoi edhe më tej në analizën e tij, duke deklaruar se Argjentina do ta ketë pothuajse të pamundur të reagojë nëse mbetet në disavantazh.

“Nëse Spanja shënon e para, harrojeni. Argjentina do të pësojë tre ose katër gola. Argjentina nuk do të gjejë asnjë përgjigje për situatën në të cilën do të ndodhet”, theksoi ai.

Megjithatë, 36-vjeçari nuk e përjashton mundësinë që Argjentina të surprizojë, duke theksuar se kampionët në fuqi kanë në përbërje Lionel Messin, një futbollist që sipas tij është i aftë të ndryshojë rrjedhën e çdo ndeshjeje me një moment të vetëm magjie.

Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet me interes të jashtëzakonshëm, ndërsa deklaratat e Kroos vetëm sa kanë shtuar debatin për ekipin që do të ngrejë trofeun më prestigjioz të futbollit botëror.


Go to TOP