Suker kritikon Tuchel-in: Duhet respekt për të gjitha kombëtaret
Ish-sulmuesi i famshëm i Kroacisë, Davor Suker, ka reaguar ndaj kritikave të Thomas Tuchel për finalen e vendit të tretë në Kupën e Botës 2026.
Trajneri i Anglisë kishte shprehur pakënaqësi për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke e cilësuar si një sfidë pa shumë rëndësi pas eliminimit nga gara për trofeun. Megjithatë, mendimi i tij nuk është ndarë nga të gjithë.
Suker, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të Kroacisë në Botërorin e vitit 1998, ku skuadra e tij fitoi medaljen e bronztë, ka kundërshtuar ashpër këtë qëndrim. Ai ka theksuar se për shumë kombëtare një medalje e tillë përfaqëson një arritje historike.
Në një intervistë për mediat italiane, ish-ylli kroat kujtoi përvojën e tij në Francë ’98, duke theksuar se Kroacia e kishte luajtur atë ndeshje me të njëjtin përkushtim sikurse një finale.
“Mendoj se ata që janë mësuar të fitojnë shumë ndonjëherë nuk e vlerësojnë më një ndeshje të tillë. Në Francë 1998, në finalen e vogël ndaj Holandës, ne luftuam sikur të mos kishte një të nesërme për të fituar medaljen e bronztë. Jam shumë krenar për atë medalje”, tha Suker.
Ai shtoi se kombëtaret më të mëdha duhet të tregojnë më shumë respekt për skuadrat dhe vendet që e shohin një Botëror si një mundësi të jashtëzakonshme për të shkruar histori.
“Disa vende kanë fituar shumë trofe dhe ndoshta për ta kjo ndeshje nuk ka të njëjtën peshë. Por duhet të kenë respekt për të 211 vendet që marrin pjesë. Bota nuk është vetëm e tyre. Vendet e vogla dhe të mesme e adhurojnë futbollin”, theksoi ikona kroate.
Fjalët e Sukerit kanë hapur sërish debatin mbi rëndësinë e finales së vendit të tretë, një ndeshje që për disa është thjesht simbolike, ndërsa për të tjerët një mundësi unike për të fituar një medalje historike në skenën më të madhe të futbollit botëror.
