Klopp merr drejtimin e Gjermanisë
Jurgen Klopp pritet të marrë drejtimin e kombëtares së Gjermanisë, me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) që është gati të zyrtarizojë marrëveshjen në ditët e ardhshme.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, Klopp ka arritur një marrëveshje në parim për të pasuar Julian Nagelsmann në krye të “Mannschaft”. Ky i fundit u largua pas paraqitjes zhgënjyese të Gjermanisë në Kupën e Botës 2026, ku skuadra u eliminua nga Paraguai pas ekzekutimit të penalltive në fazën e 1/32-tës.
Ish-trajneri i Liverpoolit ka qenë pa një rol drejtues që prej largimit nga “Anfield” në fund të sezonit 2023/24, ku gjatë nëntë viteve të tij udhëhoqi klubin anglez drejt fitimit të Premier Leagues dhe Ligës së Kampionëve.
Pas largimit nga Liverpooli, Klopp mori detyrën e drejtuesit global të futbollit te grupi Red Bull, ndërsa gjatë Botërorit 2026 ka punuar edhe si analist për televizionin gjerman.
Sipas gazetarit Florian Plettenberg, marrëveshja mes Kloppit, DFB-së dhe Red Bullit është arritur, ndërsa kanë mbetur vetëm detajet përfundimtare të kontratës dhe aspektet komerciale.
Klopp pritet të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare, e cila do ta mbajë në krye të Gjermanisë deri në Kupën e Botës 2030. Në këtë periudhë, ai do të udhëheqë skuadrën edhe në Kampionatin Evropian 2028.
Nëse gjithçka përfundon sipas planit, zyrtarizimi i Kloppit si përzgjedhësi i ri i Gjermanisë pritet të bëhet të premten, së bashku me një konferencë për media të organizuar nga Federata Gjermane e Futbollit.
