Shën Eleuteri – ndër papët e parë shqiptarë në fronin e Shën Pjetrit

Shkruan: Ismet HAJRULLAHU

Shqiptarët, kontributi i tyre në zhvillimin e qytetërimit evropian padyshim ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Është më se e qartë se njohja e historisë, e figurave dhe personaliteteve të shquara të një kombi ndikon fuqishëm në forcimin e identitetit kombëtar. Shqiptarët, si një nga popujt më të vjetër të Evropës, e pranuan krishterimin ndër popujt e parë të këtij kontinenti. Ata dhanë personalitete të shenjta, si Shën Eleuteri, Papa Klementi, Shën Dardani, Shën Ashti e të tjerë, të cilët popuj të ndryshëm janë përpjekur t’i përvetësojnë.

Sllavët mbajnë Shën Jeronimin për kroat dhe mburren me të. Lind pyetja: nga ishte Shën Jeronim? A kishte kroatë në atë kohë në Dalmaci? Cili popull jetonte në Dalmaci? Ishin ilirët ata që banonin në Dalmaci. Nga ky fakt historik del se edhe Shën Jeronimi ishte ilir.

Ndër shumë shenjtorë tanë, për të cilët nuk është folur aq sa duhet, është Shën Eleuteri, një ndër pararendësit e papëve shqiptarë, të atyre personaliteteve të shquara që kontribuan në përhapjen e krishterimit jo vetëm te shqiptarët, por në mbarë kontinentin evropian.

Në sinodin e parë të Romës, që është bërë në vitin 130, kanë marrë pjesë me qindra peshkopë nga Iliriku. Kjo do të thotë se në shekullin e dytë në Ilirik ka qenë një administratë kishtare e organizuar shumë mirë. Elementet e para të kishës, të cilat i kanë vënë themelet e doktrinës së krishterimit në shtatë koncilet e para ekumenike, janë nga toka e Ilirisë. Dikur Iliriku është quajtur “Ishulli i Shenjtoreve”. Ky fakt është tregues më i mirë se ç’kontribut dhanë shqiptarët për qytetërimin dhe për civilizimin evropian.

Shën Eleuteri ka lindur në qytetin Nikopoli 100 vjet pas Krishtit. Ky qytet i njohur i Epirit, sipas disa arkeologëve, mendohet të jetë Preveza e sotme. Studimet i vazhdoi në Romë. Në periudhën e Papës Shën Ançiteti, që qëndroi në fronin e Papës për rreth 11 vjet (157–168), mori urdhrin e meshtarisë. Në vitin 177 Shën Eleuteri u emërua papë dhe u ul në fronin e Shën Pjetrit. Në periudhën kur shërbeu si papë, e përhapi Ungjillin në shumë vende të Perandorisë Romake. Sipas disa të dhënave, mbas lutjes së Luçit, që në atë kohë e mbante fronin e Mbretërisë së Anglisë, Shën Eleuteri dërgoi misionarë të krishterimit të predikonin në Angli fenë e Krishtit. Ky besim i qytetëroi popujt e Evropës dhe mbizotëron edhe sot.

Shën Eleuteri, mbas qëndrimit të tij në fronin e Papës për më shumë se 15 vjet, u martirizua nga idhujtarët e Romës më vitin 192.

Prirjet për ta përvetësuar Shën Eleuterin, ashtu si Shën Jeronimin, nuk janë të pakta. Në të vërtetë Shën Eleuteri nuk ishte as grek, e as romak, siç përpiqen ta paraqesin disa historianë. Ai s’është gjë tjetër veçse një ilir, paraardhës i shqiptarëve, lindur e rritur në Epir, vend që shtrihej nga lumi i Vjosës deri në gjirin e Ambrakisë – në jug prej maleve të Pindit – në lindje, deri në brigjet e Jonit – në perëndim, që sundohej nga mbreti Pirro, që erdhi në fron në vitin 277 para Krishtit. Në një nga leterkëmbimet e Skënderbeut, shkruar nga Kruja në vitin 1460, që i drejtohej princit të Torontos, ndër të tjera shkruante: “Ne, shqiptarëve, na thonë epirotë.”

Vazhdimësia e trungut të Arbërit është ruajtur më së miri në kishën katolike, por sa është bërë për ta pasqyruar këtë të vërtetë, është diçka tjetër. E them këtë, sepse ne shqiptarët kemi mungesa të theksuara në këtë drejtim. Shenjtorëve tanë nuk u kemi dhënë vendin e duhur në historinë tonë kombëtare. I kemi lënë në harresë, përkundër Perëndimit që i ka ruajtur me një besim dhe fanatizëm të madh.

Dhe krejt në fund dua të theksoj se një studiues i mirënjohur italian, Giovani Amillota, e përforcon mendimin kur thotë: “Para Klementit XI kanë qenë edhe tre papë me origjinë shqiptare.”

Papët shqiptarë

Shën Eleuteri (175–189) – nga Nikopolisi i Epirit, Papa i 13‑të i Kishës;

Shën Gaiusi (283–296) – nga Dalmacia, tokë ilire;

Shën Gjoni IV (640–642) – nga Zadra në Dalmaci dhe

Papa Klementi XI (1700–1721) – nga familja Albani me rrënjë shqiptare.

Përfundim

Shqiptarët, ndonëse popull i vogël, kanë dhënë udhëheqës shpirtërorë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Vatikanit dhe të Evropës. Ky kontribut është dëshmi e qartë e rrënjëve të thella të kulturës dhe besimit tonë, si dhe e vendit të shqiptarëve në mozaikun e qytetërimit evropian.


Go to TOP