Çelësi i ringritjes së LDK-së në dorën time, jo të klanorëve!
Shkruan: Florim ZEQA
Për ta kuptuar hipokrizinë e klanorëve në LDK, mjafton ta analizoni vetëm këtë element: ata që aktin e dorëheqjes së Lumirit e kthyen në mocion votëbesimi, të njëjtët po e kërkojnë mocionin e ri për “shkarkimin” e tij!
Lojë përfide brenda klaneve në LDK
Kam informacione të sakta se, pas shpalljes së kandidaturës sime për kryetar të LDK-së, në fillim të janarit të këtij viti, klanorët fillimisht e heshtën, pastaj i vërsulën veglat e tyre kondom kundër meje!
Mirëpo, tani kur po e shohin vendosmërinë time dhe mbështetjen e gjerë në elektorat, kanë filluar t’i lakojnë disa emra servilë në diasporë, me qëllim të relativizimit të kandidaturës sime, sa fisnike, po aq hyjnore, për ringritjen e LDK-së!
Ndër emrat që po lakohen është edhe emri i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për kryetar të LDK-së, këtij produkti servil të kryetarit aktual, i ardhur nga Londra aksidentalisht dhe pa asnjë meritë në krye të Prishtinës, madje pa qenë fare anëtar i LDK-së! Kjo nuk është që po e them unë, por vetë ai e kishte pohuar gjatë fushatës zgjedhore për mandatin e parë, të cilin e mori falë luftës së përbashkët të të gjitha partive kundër Shpend Ahmetit, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje!
Edhe tani, klanorët e LDK-së e duan një “Përparim” servil dhe të dëgjueshëm, i cili zbaton urdhra nga nëntoka e LDK-së, të cilët i shpërblen me tenderë njëburimorë!
Servilë të tillë ka me bollëk ndër shqiptarët e mërgatës sonë!
Si t’i flas dhimbjes nga zjarri i dashurisë?!
Çdo ditë shkruaj dhe meditoj me mall vitet e krenarisë kombëtare, kur fjala e dhënë bëhej realitet. Çdo ditë e projektoj me kujdes të ardhmen e vendit tim, me paanësi, pa inate dhe pa xhelozi, por me shpresë dhe dashuri, siç duhet vendlindja nga mërgimi i largët.
Gjithçka e më pak nga vlerat po mbetet në Kosovë, kurse në LDK asnjë!
Si të jetojmë kur shpresa na mungon!
Si të jetojmë kur dashuria dhe urrejtja bashkëjetojnë në ambientin e kontaminuar politik në LDK!
Si t’i flas dhimbjes nga zjarri i dashurisë?!
LDK është dashuria që ma vodhën hijenat, është dhimbja që ma shkaktuan miqtë hileqarë, të cilëve u besova verbërisht!
Hijenat dhe hileqarët janë varrmihësit e krenarisë kombëtare!
Unë, që jetën e shikoj në mënyrë reale, nuk dorëzohem lehtë!
Dhimbja dhe zhgënjimi më bëjnë akoma më të fortë dhe më të qëndrueshëm në rrugëtimin tim dhe në përballje me sfidat e kohës!
Iluzionistët e ringjalljes së LDK-së përmes klaneve dhe grupeve të interesit do të mashtrohen keq, ashtu siç u zhgënjyen nga “Rruga e Re” dhe nga “Bashkimi i të djathtës shqiptare”!
Çelësi i ringritjes së LDK-së në dorën time, jo të kusarëve politikë
Gjatë viteve ’90, si nënkryetar i Forumit Rinor të Degës së LDK-së në Klinë, ndodhesha në një aktivitet politik në fshatin Gremnik. Me atë rast, kryetari historik i Klinës, Ismet Raci, në mënyrë simbolike e futi dorën në xhepin e djathtë të xhaketës dhe iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë, po citoj: “Rugova e ka në xhep çelësin e zgjidhjes së problemit të Kosovës!”
Pa u zgjatur shumë në zbërthimin e kësaj ngjarjeje interesante të tre dekadave më parë, me pak fjalë po i drejtohem elektoratit të LDK-së se çelësi i ringritjes së LDK-së nuk është në dorën e pengmbajtësve dhe uzurpatorëve, as në dorën e klanorëve dhe grupeve të tjera të interesit, e më së paku në dorën e parashutistëve dhe mercenarëve, por çelësi i ringritjes së LDK-së është në dorën time dhe të secilit veprimtar që nuk është pjesë dhe as në shërbim të tyre!
Çelësi i ringritjes së LDK-së është në dorën e secilit që e do me shpirt e me zemër LDK-në, kurse fitili detonues dhe ora e kurdisur ndodhen në dorën e matrapazëve politikë që i sollën në këtë gjendje mjeruese tri shkronjat e arta – LDK.
Sa më pak respekt dhe dashuri e ndërsjellë, aq më pak njerëzillëk dhe rritje e urrejtjes mes njerëzve në vendin e paradokseve të mëdha, të quajtur Kosovë, në të cilën po lulëzon prostitucioni politik si produkt i anashkalimit të vlerave njerëzore.
