Rama: Rikthimi i vlerave dhe zhvillimit – Jo përçarjes dhe bllokimit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm drejtuar qytetarëve dhe diasporës, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. Ai kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke e akuzuar për përçarje, bllokim të projekteve dhe dëmtim të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.
Rama theksoi se sakrifica e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës duhet të nderohet, jo të mohohet apo të përqeshet. Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e institucioneve dhe familjes si shtylla të shoqërisë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për uniformizim ideologjik dhe politik.
“Kosova nuk mund të ecë përpara me njerëz që nuk kanë vizion dhe që e shohin politikën si një lojë hakmarrjeje,” u shpreh ai, duke akuzuar qeverinë për pengimin e investimeve të rëndësishme dhe izolimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Rama vuri theksin te sukseset e Prishtinës në menaxhimin e buxhetit dhe realizimin e projekteve, duke i ftuar qytetarët që me votën e tyre të ndihmojnë Kosovën të ecë përpara.
“Prishtina po ecën përpara me vizion e mision, pavarësisht sfidave. Le ta ndihmojmë edhe Kosovën nesër me votën tuaj të çmuar,” përfundoi ai. /Kosova.info/
