Kurti: Takimi me Abdixhikun dhe Osmanin ishte konstruktiv
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për media. Ai ka thënë ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se përzgjedhja e presidentit të ardhshëm duhet të bëhet në frymën dhe germën e Kushtetutës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë figurë që shpreh unitetin e popullit dhe gëzon mbështetje sa më të gjerë politike
“Ne besojmë që fryma dhe germa e Kushtetutës është që presidenti të jetë përfaqësues i unitetit të popullit dhe, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual, sepse jemi të interesuar që gjithashtu ta kemi numrin maksimal të mundshëm të deputetëve që të qëndrojnë në sallë, sepse ju e keni parasysh. Prandaj, përqendrimi nuk ka qenë tani te emrat e veçantë për president, por te koncepti i përparimit, te vizioni përpara”, tha Kurti.
Ai u shpreh se takimi shkoj në atmosferë konstruktive ku diskutuan shumë çështje.
“I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesinë, më pastaj qeverinë, apo president apo presidente. Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim këtu me ju. Unë jam optimistë pë rrugën përpara”, tha Kurti.
