Abdixhiku flet pas takimit, tregon se për çka u dakorduan

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, tha se janë dakorduar që të vazhdojnë me komunikim drejt një zgjidhjeje të bllokadës institucionale.

Abdixhiku, ka bërë të ditur se takimi i zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje për stabilitet institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Ai theksoi se ky ishte takimi i parë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe se palët diskutuan për parimet mbi të cilat mund të ndërtohet bashkëpunimi.

“Ishte takimi i parë menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme, të katërtat me radhë në më pak se një vit e gjysmë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, në takim u diskutua për parimet, vlerat dhe idetë programore për të cilat të dyja palët kanë interes, ndërsa u arrit pajtueshmëri që komunikimi të vazhdojë.

“Në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim, si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë”, u shpreh ai.

“Ne diskutuam për parimet rreth të cilave duhet të dakordohemi. Këto parime për LDK-në janë të qarta. Ato kërkojnë jo vetëm stabilitet institucional që nga tani, për një kohë të gjatë dhe të qëndrueshme, për t’i shmangur zgjedhjet, por edhe balancën demokratike, në të cilën të gjitha palët kontribuojnë për t’i ofruar vendit institucione te qëndrueshëm,  jo vetëm kontrolluese ndaj njëra tjetrës por edhe  të kontribuojnë ndaj një vlere të përbashkët”, tha Abdixhiku.


Go to TOP