QUINT-i sërish i bën thirrje Qeverisë të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit
Shtetet e QUINT-it sërish i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë. Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Më 20 maj mbushen gjashtë vjet qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.
Ky vendim nuk është zbatuar, pavarësisht se vendimet e Kushtetueses janë të obligueshme.
“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në reagimin e QUINT-it.
QUINT disa herë i ka bërë thirrje Kosovës që të zbatojë vendimin e Kushtetueses.
Të premten ka reaguar edhe Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, duke shprehur shqetësim për “shkeljet e vazhdueshme të të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.
Dioqeza tha se deklaratat, siç i quajti, të papërgjegjshme dhe provokuese të zyrtarëve në Prishtinë, nuk i kontribuojnë stabilitetit dhe pajtimit në Kosovës dhe inkurajojnë mostolerancën etnike dhe fetare ndaj Kinës Ortodokse Serbe.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve diplomatikë në Prishtinë që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për vendosjen e një sundimi efektiv të ligjit, të drejtave dhe respektimit të të drejtave të njeriut për Kishën Ortodokse Serbe dhe pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se “nuk ka sundim të ligjit në institucionet e Prishtinës”.
Edhe në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, që u publikua në prill të këtij viti, u vu në dukje refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar këtë vendim.
Ndryshe, më 24 shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese i dërgoi një letër kryeprokurorit të atëhershëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës e informoi për nxjerrjen e Aktvendimit për Mospërmbarim lidhur me aktgjykimin e vitit 2016, me të cilin Gjykata Kushtetuese vendosi që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll.
Në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Kushtetuese theksoi se ajo “nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse” dhe ka thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.
