Përfundon faza e parë e restaurimit të Hamamit të Gazi Mehmet Pashës

Ka përfunduar faza e parë e restaurimit të Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren. Pas punimeve në fazën dytë, objekti do të hapet dhe pritet të jetë atraksion turistik. Në këtë fazë u kryen punime në gjysmën e objektit.

“Punimet që po inaugurojmë sot kanë filluar në shkurt të vitit 2023 dhe gjatë kësaj faze janë realizuar restaurimi në interierin e gjysmës së objektit, respektivisht të pjesës së meshkujve të hamamit”, tha Samir Hoxha drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren.

Objektin e rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të periudhës osmane, e vizitoi edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“Duke i funksionalizuar monumentet i kthejmë ato në shërbim të komunitetit dhe i mbrojmë në mënyrë më efektive. Jemi në diskutime e konsultime me të gjithë hisedarët në mënyrë që ky monument në momentin kur përfundon i gjithë procesi i restaurimit, të jetë në funksion të qytetarëve, por edhe në pritje të vizitorëve, turistëve dhe t’i shërbejë edhe ekonomisë lokale të Prizrenit”, tha Çeku.

Së shpejti do të nisë edhe faza e dytë dhe përfundimtare e restaurimit të Hamamit të Gazi Mehmet Pashës. Më pas, pritet funksionalizimi.

“Qëllimi është ta bëjmë muze të hamamit, jo galeri apo muze tjetër çfarëdo, por të tregojmë krejt procesin e larjes qysh është kryer në hamam. Do të mundohemi ato figurat e dyllit t’i bëjmë sa më reale, ndërsa pjesa tjetër me projekt është paraparë multifunksional, artizanal, por edhe aty do t’i kthehemi idesë së parë, sepse ideja e parë ka qenë të bëhet hamam normal, funksional”, tha Jusuf Xhobo, arkitekt i QRTK-së.

Objekti i trashëgimisë që ndodhet në qendër të qytetit do të jetë i hapur gjatë dy javëve, deri në nisjen e punimeve për fazën e dytë.

Go to TOP