Kori Siparantum ngjitet në skenën ‘Wiener Konzerthaus’

Për nder të 200-vjetorit të Premierës së Simfonisë së 9-të të Ludwig van Beethoven, Kori Siparantum është  ngjitur në skenën e ‘Wiener Konzerthaus’.

Këtë e bëri të ditur Kori Siparantum përmes një komunikate për media.

E lidhur me këtë ngjarje ka folur dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi, i cili theksoi se janë të lumtur që puna e tyre po vlerësohet kudo.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që në këtë ngjarje të madhe, në këtë skenë prestigjioze me rastin e shënimit të 200-vjetorit të Simfonisë së 9-të të Beethoven-it, jemi ngjitur edhe ne. Padyshim që ky është suksesi më i madh i arritur ndonjëherë në muzikën korale tek ne dhe aq më shumë që kjo vjen nga Kori Siparantum, i cili ka më pak se 8 vite”, u shpreh Kelmendi. 

Ndërsa, maestro Heinz Ferlesch, dirigjenti i Vienna Singakademie, e cilësoi ardhjen e Korit Siparantum si një moment shumë të rëndësishëm.

“Ardhja juaj nga Kosova është një shenjë e rëndësishme këtu, pasi para 25 viteve vendi juaj ishte në luftë. Kjo është një shenjë shumë e rëndësishme për ju dhe shtetin tuaj, duke treguar se përmes muzikës, bashkëpunimi dhe ndërtimi i një realiteti të ri është i mundur”, u shpreh Ferlesch.

Simfonia e 9-të e Beethovenit është një monumentalitet në historinë e muzikës. E kompozuar në periudhën e fundit të jetës së Beethovenit, simfonia tregon një thellim emocional dhe një qëllim humanist. Për më shumë se dy shekuj, ajo ka përfaqësuar një shprehje të fuqishme të vullnetit për liri, unitet dhe solidaritet njerëzor.  Simfonia e nëntë e Beethovenit është interpretuar pikërisht 200 vite më parë në Vjenë, më 7 maj të vitit 1824.

Go to TOP