Sonte nis festivali prestigjioz i këngës ‘Eurovision’

Festivali prestigjioz i këngës “Eurovision” nis sonte në Malmo të Suedisë, me natën e parë gjysmëfinale, në orën 21:00, e që transmetohet drejtpërdrejt në RTK 1 dhe Radio Kosova.

Ky është edicioni i 68-të i këtij festivali, derisa Shqipëria do të përfaqësohet në natën e dytë gjysmëfinale me Besa Kokëdhimën, me këngën “Titan”.

Versioni i ri në anglisht i këngës së saj vjen si një bashkëpunim me producentë të njohur botërorë si Gia Koka, Serban Casan dhe Alias LJ dhe producentin e njohur shqiptar Kledi Bahiti. Video-klipi është realizuar në Stamboll dhe vjen si një trinom që kombinon tekstin, mesazhin dhe muzikën.

Këngëtarja shqiptare do të ngjitet në skenë të enjten, e dyta me radhë, derisa finalja e madhe e Eurovisionit do të mbahet të shtunën, më 11 maj.

Nga dy netët gjysmëfinale do të përzgjidhen përfaqësuesit e 20 shteteve, të cilave në finale do t’u bashkohen përfaqësuesit e 5 shteteve të përhershme dhe vendi mikpritës që është Suedia.

Sonte do të interpretohen 18 këngë, 3 prej të cilave janë paraprakisht të kualifikuara në finale: Suedia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Paraqitja e këngëve do të jetë si në vijim: Qipro, Serbia, Lituania, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Polonia, Kroacia, Islanda, Gjermania, Sllovenia, Finlanda, Moldavia, Suedia, Azerbajxhani, Australia, Portugalia dhe Luksemburgu.

Go to TOP