Përfitimet nga pemëtaria 

Sipas agronomëve, këto ditë janë vendimtare për zhvillimin e shëndetshëm të pemëve. Ata që kanë vendosur të merren me pemëtari, tregojnë se kanë shumë përfitime, e për më tepër, edhe grantet që u ofron Ministria e Bujqësisë janë ndihmesë më e madhe për ta.

Pemëtari Nikollë Frrokaj nga Planqori i Gjakovës, shprehet shumë i lumtur që kultivon pothuajse të gjitha llojet e pemëve.

“Këtu i kam dy hektarë me mollë, 10 ari dardhë, 10 ari ftoj, 10 ari arrë. Kur të çohem në mëngjes pa ardhë e me i kqyrë nuk pi kafe, e pi kafen e marr shatin deri në drekë punoj, ha bukë pushoj pak në fllad të mbrëmjes, dal prapë. Jam merak. i kqyri, i punoj, mundet një familje me jetu fort mirë”, ka thënë Frrokaj.

Frrokaj thotë se kohët e fundit po e kultivon edhe arrën, për të cilën thotë se nuk kërkon shumë angazhim.

Edhe Bekë Lokaj nga Sllupi i Deçanit, krahas shumë llojeve të tjera të pemëve, ka të mbjellë rreth 3 hektarë me arra.

“Ne po punojmë pasi mbështetjen po e kemi nga ana e Ministrisë së Bujqësisë e cila po na përkrah çdo hap, veç me pasë mundësi me i ndalu të rinjtë për me qenë afër në punë të vet në vendin e vet”, ka thënë Lokaj.

“Gëlqerja ndikon që temperaturën ta largojë nga pema, nga trupi i pemës në mënyrë që pema mos të joshet në hapjen e sythave herët. Kështu që kjo është një masë preventive kur pranverat janë shumë të hershme sikur që e kemi këtë vit”, ka thënë Bajram Çeku, agronom.

Sipas agronomëve, këto ditë janë vendimtare për zhvillimin e shëndetshëm të pemëve dhe mbarëvajtjen e punëve, si parakusht për prodhim të lartë dhe cilësor në pemëtari.

Go to TOP