Liverpool konfirmon emërimin e Slot si trajner

Liverpool ka njoftuar për emërimin Arne Slot si trajner të ri të skuadrës.

Sipas deklaratës zyrtare të Liverpool të lëshuar të hënën holandezi  do ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 qershor 2024.

“Klubi i Futbollit Liverpool mund të njoftojë se Arne Slot ka rënë dakord për një marrëveshje për t’u bërë trajneri i ri i klubit, duke marrë zyrtarisht pozicionin më 1 qershor 2024″, ka njoftuar skuadra angleze.

Gjithashtu edhe Slot ka folur për vendimin e tij.

“Sigurisht që nuk është një vendim i lehtë të mbyllësh derën pas teje në një klub ku ke përjetuar kaq shumë momente të mrekullueshme dhe ke punuar me sukses me kaq shumë njerëz të mrekullueshëm”, ka thënë ai. “Por si një sportist, një mundësi për t’u bërë trajner në Premier League, në një nga klubet më të mëdha në botë, është e vështirë të injorohet”.

Slot kishte impresionuar duke udhëhequr Feyenoord drejt titullit të Eredivisie si dhe drejt fitores së Kupës së Holandës po edhe duke e dërguar skuadrën në finale të Conference League. 

Emërimi i Slot nga Liverpool ishte konfirmuar gjatë ceremonisë së lamtumirës së Jurgen Klopp të dielën.

Go to TOP