NISMA e dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Akt terrorist dhe i papranueshëm
NISMA Socialdemokrate e ka dënuar sulmin që ndodhi mbrëmjën e së premtes në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit. Përmes një komunikate për media NISMA kanë thënë se ky sulm është një akt terrorist i rëndë dhe i papranueshëm.
Kjo parti ka deklaruar se qëndron fuqishëm në përkrahje të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe të gjitha institucioneve të sigurisë.
“NISMA Socialdemokrate dënon fuqishëm këtë akt terrorist dhe qëndron fuqishëm përkrah Policisë së Kosovës, AKI-së dhe të gjitha institucioneve të sigurisë që po angazhohen për të rikthyer rendin dhe për të sjellë autorët e këtyre veprimeve kriminale para drejtësisë.Kjo është një thirrje për forcimin e aleancës sonë me partnerët strategjikë. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe vendosmërisë mund të mbrojmë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit tonë. Siguria dhe stabiliteti i Kosovës janë të panegociueshme. Çdo akt terrorist ndaj Kosovës duhet të marrë përgjigjen që meriton”, thuhet në reagim. /Kosova.info/