Mustafa: VV bëri përpjekje të qëllimshme për kapje Kuvendi

Zëdhënësi për media i LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për media pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se mos respektimi i Kushtetutës nga ana e LVV-së gjatë seancave konstituive ka qenë i qëllimshëm.

“Ky nuk është një gabim procedural i një deputeti të Vetëvendosjes. Kjo është një përpjekje e qëllimshme për të kapur institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës, Kuvendin e Kosovës, përmes veprimeve të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo nuk është mungesë vullneti, por shkelje e qëllimshme e rregullave që i japin kuptim dhe legjitimitet demokracisë sonë”, ka thënë ai gjatë konferencës.

Mustafa më tej ka thënë se asnjë grup parlamentar, parti e as individ nuk ka të drejtë ta sfidojë Kushtetutën, e aq më pak ta shkelë atë. Ka shtuar se pret respektimin  e vendimit të ri.

“Ne presim që të përmbushet pa asnjë vonesë obligimi kushtetues që ka dhënë Gjykata Kushtetuese duke rifilluar procesin nga pika 3 e rendit të ditës dhe të propozohet kandidati për Kryetar të Kuvendit, përmes një procesi të rregullt, të hapur dhe në përputhje me Kushtetutën.Vetëvendosje duhet t’i japë fund arrogancës politike dhe qasjes antikushtetuese. Pushteti nuk fitohet duke shkelur rregullat, por duke i respektuar ato”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.


Go to TOP