Mushkolaj: Latifi të kthehet sa më parë në Amerikë, për ministër s’është kërkah

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka komentuar vizitat e shpeshta të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, në ShBA, atje ku ka vepruar derisa ka marrë pozitën e ministrit. Mushkolaj ka thënë që sa më parë që ai kthehet në Amerikë është më mirë, pasi për punën e ministrit s’është kërkah.

“Sa ma parë që ministri i Shëndetësisë kthehet në Amerikë, aq ma shumë i ndihmon edhe vetes, edhe ne. Le të merret me punë shkencore, se për ministër s’është kërkah”, ka shkruar ai.

Opozita ka kritikuar ministrin Latifi për qëndrimet e tij të gjata dhe të shpeshta jashtë vendit.

LDK-ja ka deklaruar para disa ditësh se rezultatet konkrete të Latifit pas 6 muajve në krye të ministrisë së Shëndetësisë janë ardhje-vajtjet jashtë vendit.

“Janë bërë gjashtë muaj prej se kur Rifat Latifi është emëruar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Rezultatet e vetme konkrete deri më tani janë vetëm ardhje – vajtjet e ministrit jashtë vendit”, ka njoftuar LDK.

Latifi u emërua ministër në mes të nëntorit të vitit 2021. Brenda muajit të parë të marrjes së detyrës, ministri kishte udhëtuar dy herë në SHBA. Herën e dytë, në fundvit, stafi i tij e kishte konfirmuar se Latifi ka udhëtuar “për arsye personale”.

Atë kohë, Kryeministri Albin Kurti ishte pyetur për lëvizjet e shpeshta të ministrit Prishtinë – Neë York. Thoshte se vartësi i tij do të punonte për ministrinë “online”.

Go to TOP